Partneret e Cairit
Hyrje | Projekte | Për Mediat | GJURMUESIT E GËNJESHTRAVE

GJURMUESIT E GËNJESHTRAVE

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Shkupin më së shumti e dëmtuan ata që dëshironin kinse t’i mbrojnë objektet historike, që thoshin se merren me mirëmbajtjen e objekteve që dëshmojnë për të kaluarën e kryeqendrës së Maqedonisë dhe të hapësirave të këtushme. Këtë njeriu mund ta vërejë çdo kund në këtë qytet, e veçanërisht në pjesën e vjetër të Shkupit.

Apo në pjesën që kishte shenjën e Perandorisë Osmane, e që ishte amblemë njohëse e kryeqendrës së Maqedonisë. Kështu ndodhi që Ura e Gurit sot me asgjë të mos i ngjajë asaj të dikurshmes dhe askush të mos e ketë të qartë se kujt i nevojiteshin ato deformime që iu bënë këtij objekti që edhe sot është në të gjitha panoramat e Shkupit. Edhe Çarshia e Vjetër prej moti nuk është më ajo e vërteta që e lanë paraardhësit tanë. Shumëçka në të është rrënuar, apo e ka mbuluar hoteli “Arka” i cili qëndron si një gogol në mes të një kopshti të bukur nga e kaluara.

Dekada me radhë u bë çmos që Shkupit t’i shlyhen shenjat e kulturave joortodokse dhe jo sllave. Tani do duhen dekada që të korrigjohen gabimet dhe duhet të bëhet çmos që të shpëtoj ajo që ka mbetur. Se nuk ka marr fund ky shfytyrim i Shkupit, dëshmon edhe aktualizimi i gërmimeve arkeologjike në Kalanë e Shkupit, të cilat mbase kanë për qëllim të dëshmojnë se në këto hapësira nuk kanë lënë asnjë gjurmë kulturat e lindjes dhe se ço gjë ka shenjën e kulturës bizantine. Që do të thotë, vazhdon tendenca e kamotshme që edhe trashëgimit nga e kaluara, të vihen në shërbim të politikës së ditës, të bëhen ilaç për komplekset etnike dhe e kaluara të flijohet për arsye politike ditore. Me çka nxiten reagimet mosbesuese të qarqeve shkencore dhe kulturore të shqiptarëve të Maqedonisë.

Në Shkup u bënë shumë restaurime dhe renovime të objekteve që ishin shenjë njohëse e këtij qyteti, por kurrë dhe askush nuk i përfshiu në ato projekte shqiptarët dhe nuk i pyeti ekspertët shqiptarë se ç’mendojnë lidhur me ato rregullime të qyteti. Dolën disa urëndërtues të rinj të cilët Urën e Gurit e bënë të duket si një “hibrid” arkitektonik me themele Osmane, e me veshmbathje krishtere. Asaj iu prish shumëçka që e bënte të jetë e mëvetshme, e posaçërisht detajet që shprehnin arkitekturën Osmane. Çarshisë së Vjetër iu shtuan dyqane dhe objekte që fare nuk kanë të bëjnë me arkitekturën që është karakteristikë e kohës kur është ngritur kjo lagje e qytetit.

Në pjesën e vjetër të Shkupit ngutazi u ndërtuan objekte tjera në vendet ku dikur qëndronin xhamitë apo ndërtimet orientale. Iu ndryshua fizionomia e një pjese të madhe të Shkupit të vjetër, dhe thuajse mbeti e paprekur vetëm balta e Bit-Pazari, balta e këtij tregu që qëndron si një plehërishte në mes të pjesës shqiptare të Shkupit, e ku mundej me kohë të ndërtohet një qendër që do inkuadrohej në tërësinë e kësaj pjese të qytetit. Mbase Bit-Pazari nuk u prek shaku se aty nxjerrin përfitime të mëdha qarqet që përdorin varfërinë e banorëve të kësaj pjese të kryeqendrës së Maqedonisë, varfërinë e shqiptarëve që aty punojnë për mëditje të ulëta.

Pjesa veriore e Shkupit me vite u la pas dore, andaj edhe është e pamundur gjitha lëshimet nga e kaluara të korrigjohen shpejtë. Që do të thotë se edhe gjatë kohë do ndjehen pasojat e një diskriminimi të lagjeve të kryeqendrës së Maqedonisë ku jetojnë shqiptarët. Se sa ka qenë prezentë ky diskriminim, mbase më së miri shihet nëse shëtisni nga Ura e Gurit e deri te Teatri shqiptarë. Ku do hasni në përplot paradokse nga më të çuditshmit. Ku do shihni hotelin “Arka” (për të cilin disa thonë se i mungon vetëm shkronja “n”, që të legjitimohet me emrin e vërtetë) në mes të shtëpive dhe dyqaneve të vjetra me arkitekturë orientale, do shihni dyqane të ngjyrosur çuditshëm, do shihni më në fund Teatrin Shqiptarë të rrethuar nga “tezgat” me mallra të ndryshëm dhe ku zhvillohet shfaqja e papunësisë shqiptare.

Do e shihni këtë tempull kulturorë shqiptarë të ngulfatur nga zhurma e tregtarëve dhe do shtroni pyetjen: nëse ka qenë e domosdoshme të ndërtohet në këtë vend, atëherë si është e mundur që edhe pas kaq vitesh drejtuesit e qytetit të mos e shohin se teatri dhe tregu nuk kanë asgjë të përbashkët, të mos e shohin se në këtë teatër nuk mund ë arrish nga askund. Dhe pse tani kur ne duam disa gjëra sadopak t’i korrigjojmë, hasim në mospërkrahje dhe rezistencë nga shumë institucione shtetërore. Apo, si është e mundur që gjitha institucionet kulturore të etnitetit maqedonas të jenë të rrethuar me gjelbërim dhe lulishte, e ky i vetmi me këtë karakter që u takon shqiptarëve, të mbetet i rrethuar me zhurmën e tregtarëve. Vallë me këtë dikush ka dashur t’ia caktoj vendin kulturës shqiptare në Maqedoni?

Në dekadat e kaluara thuajse asgjë nuk është investuar në infrastrukturën e pjesës të ashtuquajtur shqiptare të Shkupit. I vetmi investim që është bërë është shfrytëzimi i objekteve të vjetra të kulturës orientale. Kështu që ne të komunës që drejtojë, përballemi me shumë dekada lëshimesh dhe grumbullimi të problemeve. Aq më shumë, përballemi edhe me një qeveri që nuk ndihmon projektet e komunave të udhëhequra nga përfaqësuesit e BDI-së. Thuajse Shkupi është problem partiak, e jo i gjithë qytetarëve që jetojnë në të. Sot ne përballemi edhe me probleme që mos të kemi kontroll mbi pjesën e territorit tonë, siç është për shembull Çarshia e Vjetër për të cilën janë sjell shumë ligje, a siç duket ka pas vlerë vetëm “ligji” i shkatërrimit të saj.

Shkupi i sotëm ka Urën e Gurit dhe Çarshinë e Vjetër të deformuar nga ata që duan të shlyejnë çdo gjurmë nga e kaluara orientale e këtij qyteti. Kjo do mund të ndodh edhe me Kalanë e Shkupit, nëse ajo lihet vetëm në duart e atyre që edhe deri tash janë dëshmuar si zbatues të idesë që për arsye politike ta shtrembërojnë edhe të kaluarën e këtyre hapësirave. Që mendojnë se me vjedhjen e vlerave të huaja, mundë të ndërtohet bazamenti i portretit etnik. Dhe këta që mendojnë kështu, janë shkaktarë pse shqiptarët nuk u besojnë disa arkeologëve të etnitetit maqedonas dhe pse kërkojnë që në gërmimet arkeologjike në Kalanë e Shkupit të marrin pjesë edhe arkeolog të mirënjohur shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria. Kjo kërkesë e disa organizatave shqiptare, ka mbështetje në dëmet e deritanishme që iu bënë objekteve të lashta në Maqedoni, në gjetjet arkeologjike që ngutazi u shpallën si artefakte të kësaj apo asaj kohe, a gjithmonë me dëshirë që të dëshmohet se edhe lisat e këtyre hapësirave kanë rrënjë në oborret e kishave ortodokse.

Kështu që reagimet e disa qarqeve shqiptare, lidhur me gërmimet e filluara në Kalanë e Shkupit, duhet të merren si vullnet i mirë që të kaluarën e përbashkët ta hulumtojmë bashkërisht. Kërkesat e organizatave joqeveritare, shkencore e kulturore të shqiptarëve të këtushëm, duhet të merren si zë i arsyes i cili lajmëron të vërtetën se nuk ka ardhmëri të përbashkët aty ku dikush donë ta përvetësojë të kaluarën thuajse në këto troje kurrë nuk kanë jetuar të tjerë përpos sllavëve. Protestat e disa shoqatave shqiptare, kanë për qëllim të bëjnë me dije se më nuk do jetë e mundur vendbanimeve shqiptare dikush t’ua ndërroj fizionominë ashtu që ata të humbin shenjat nga e kaluara. Më në fund, ç’faj u kanë shqiptarët disa qarqeve pseudoshkencore maqedonase, pse ata nuk mund të përballen me të vërtetën se prezenca e shqiptarëve në këto hapësira është më e thellë seç mund të gërryejnë gënjeshtrat e tyre.
Izet Mexhiti

  • email Email shokëve
  • print Printo
  • Plain text Vetem tekst