Partneret e Cairit
Hyrje | Projekte | Për Mediat | PËRÇARJA SI BASHKIM

PËRÇARJA SI BASHKIM

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Nëse dikush në këtë shtet ka bërë çmos që të arrihet një bashkëpunim më i ngushtë mes partive shqiptare, ai është Ali Ahmeti. Nuk duhet harruar se menjëherë pas përfundimit të konfliktit të 2001, ai ftoi kryesuesit e partive shqiptare të bashkohen në një Këshill që do ndihmonte realizimin e Marrëveshjes së Ohrit

Atyre që nuk harrojnë shpejtë, do u kujtohet se këtë hap Ahmeti e ndërmori që të shmangeshin mosmarrëveshjet e mëvonshme dhe që të kursehej populli nga përçarjet e mëtutjeshme brenda shoqërisë shqiptare. Ata që kanë mbëmendje më të gjatë, gjithashtu e kujtojnë se këtë ide të Ali Ahmetit e bojkotuan ata që sot bëhen flamurtar të bashkëveprimit të partive tona: kryesuesit e PDSH-së. Të cilët u tërhoqën nga Këshilli i iniciuar nga Ali Ahmeti duke trilluar arsye nga me të pakuptimtat.

Me shumëçka mund të dëshmohet se BDI-ja e udhëhequr nga Z. Ali Ahmeti gjithmonë ka qenë dhe ka mbetur përkrahëse e idesë se partitë shqiptare ne Maqedoni duhet të harmonizojnë veprimin e tyre politik. Se në mos më shumë, nuk duhen të sillen njëra ndaj tjetrës si ndaj armikut, por si ndaj rivalit qe ka të njëjtin qëllim – përparimin e situatës politike dhe ekonomike të shqiptarëve - si ndaj një grupi tjetër bashkëveprimtarësh me të cilët mund t’i dalloj rruga nga janë nisur, por jo edhe caku që duhet arritur. Duke veruar sipas këtij parimi, BDI-ja nuk mundtë jetë kurrë kundër cilitdo bashkëpunim mes partnerëve shqiptare, por ajo e ka të qartë se shpeshherë këto iniciativa fillojnë mbrapsht dhe pas tyre fshihen qellim tjera. Pa dyshim se e tillë është edhe iniciativa e kryesuesve të PPD-së, të cilët sikur sinqerisht të ishin të interesuar për një bashkëpunim me frutdhënëse mes parive shqiptare, drejt tij nuk do shkonin duke prishur bashkëveprimin me BDI-në. Përkundrazi, ata këtij bashkëpunimi të ngushtë me BDI-në do tentonin t’ia shtonin edhe atë me partitë tjera shqiptare, e jo çdo gjë ta nisin nga e para.

Sa i përket bashkëveprimit mes partive shqiptare, ai është i mundur vetëm në një ambient politikë ku partitë spari kanë arritur një komunikim normal i cili nuk nënkupton takime nëpër kafene apo vetëm atëherë kur duhet marrë poenë politik. Ai që është i brengosur për popullin e jo vetëm për rejtingun e partisë, e dinë se ka qëllime të cilat sot ndoshta nuk të bëjnë të famshëm te populli, po nesër gjithsesi sjellin të mirën e përbashkët. Andaj bashkëveprimi partiak është edhe ai kur partia e radhës që vjen në pushtet, nuk shkel mbi çdo gjë që ka bë partia e mëparshme në koalicionin qeveritarë. Nuk shkon deri aty që edhe pastruesit e shkollave që i ka punësua, ta zëmë BDI-ja gjatë bashkëqeverisjes me LSD-në, t’i largojë nga puna. Partia që e dinë se drejtë cakut të përbashkët arrihet duke dhënë kontribut të gjithë subjektet politike shqiptare, kur vjen në qeveri nuk sillet thuajse çdo gjë fillon nga e para e as prish atë që paraprakisht dikush ka ndërtuar. Bashkëveprim partiak është, ta zëmë, të vesh në kalanë e të mirës gjithëpopullore tullën që mungon, e jo ta ç'murosësh gjithë kalanë vetëm që t’i mohosh gjitha rezultatet që ka arritur i mëparshme, sado të vogla të jene ato.

Me ardhjen e vet në qeveri, BDI-ja dëshmoi se është ndërtuese që dinë të respektojë kontributin e të mëparshmëve. Në mos tjetër, ajo dëshmoi se nuk e njeh veprimin partiak si ai i PDSH-së së sotme, e cila largon nga puna shqiptarë për të punësuar shqiptarët e partisë së vet, e jo të hap vende të reja pune që ata të mëparshmit të mbeten e të vijnë të rinj. BDI-ja nuk ndërtoi popullaritet politik duke treguar çfarë nuk kanë arritur te ndërtojnë të tjerët, por dukë dëshmuar se çka mundet të bëjë ajo. Prandaj gjatë qeverisjes së saj thuajse nuk ka shqiptarë që është larguar nga puna, e ka me mija që janë punësuar. Gjatë bashkëqeverisjes së BDI-së me partnerin maqedonas, nuk ndodhi që të dëmtohet cilido institucion shqiptarë, e me ditën e ardhjes së PDSH-së në qeveri të gjithë u vërsulën mbi institucionet arsimore dhe kulturore të shqiptarëve. Edhe atë të nxitur e të prirë nga ministrat shqiptarë, të cilët thuajse donin çdo gjë që ishte ndërtuar në kohën ë BDI-së të rrënohet deri në themel, që pastaj të thuhet se PDSh-ja e bëri nga e para.

Populli duhet ta dijë se janë vetëm muhabete të kota dhe pallavra politike iniciativat për bashkëveprim të partive shqiptare politike në një ambient ku partitë nuk dinë të respektojnë asgjë te rivali i tyre politik. Aty ku partitë dinë vetëm të mohojnë atë që kanë bë simotra e tyre të mëparshme, aty ku partia e radhës shqiptare që vjen në qeveri shkatërron çdo gjë që ka bë ë mëparshmja – siç vepron sot PDSH-ja – nuk ka bashkëveprim ndërpartiak, por vetëm manipulime të partive me zgjedhësit. Prandaj edhe iniciativa e fundit e PPD-së për bashkëpunim mes partive shqiptare nuk është asgjë tjetër përpos edhe një orvatje e kësaj partie t’i fshehë qëllimet e vërteta – ardhja me çdo kusht në qeveri.

Nuk është jolegjitime një parti të ketë për qëllim hyrjen në qeveri. Por është shumë primitive kur kjo dëshirë e cilësdo partie mbulohet kinse me gabimet që i bën tjetra parti. Partia që i ka të qarta konceptet dhe caqet e veta politike, nuk ka nevojë të ushqehet me gabimet që i bënë oponenti politik. Asaj i mjaftojnë sukseset e veta. I mjafton sinqeriteti para simpatizantëve të vet që te mos ketë nevojë të kërkoj mbulesë se kinse mosveprimi i drejtë i ndonjë partie tjetër, atë e shtynë të shkoj rrugës tjetër.

Andaj, nëse PPD-ja mendon se drejtë bashkimit arrihet nëpërmjet ndarjeve, atëherë kjo do të thotë se ajo parti kurrë nuk e ka pasur të qartë me kënd bashkohet, por e ka ditur vetëm qëllimin e bashkimit: që të përfitoj për vetë, e jo për popullin. Sikur të ishte ndryshe PPD-së nuk do i ndodhtë që nga gjitha ndryshimet e dukshme të saj, të vetmet që nuk mund të kontestohen janë ndërrimi i partnerëve me të cilët është orvatur të arrij deri te ndonjë kabinet qeveritarë. Prandaj mundë të thuhet se kjo parti nuk ngjanë me asnjë tjetër, përpos me Fadil Sulejmanin, i cili i harron të gjitha sharjet që ia kanë be nëse sharësit e deridjeshëm i ofrojnë se do bëhet dikush në USHT. Dhe ndoshta do ishte mirë Abdulhadi Veseli dhe Fadil Sulejmani të bënin një grup të ri parlamentarë që gjithmonë do ishte në shërbim të atyre qe duna të blejnë deputet. Më mirë do u dilte kështu se sa të mbulojnë hapat e veta kinse me angazhim për të mirën mbarëshqiptare.

Kanë nishane ata që duan të mirën e popullit. Njësoj siç kanë shenja dalluese ata që popullin e mendojnë si grup argatësh që duhet të punojë për të mirën ë tyre. Dhe mjerë populli për bashkimin e të cilit punon Abdulhadi Veseli, i cili PPD-në prej moti e ka bë kompani private e ata që i rrinë përreth vetëm argat të vet. Më në fund, sikur udhëheqësit e PPD-së të dini ç’është unitet dhe bashkëveprim, nuk do lejonin që nga partia e tyre të cilën e mbështesnin të gjithë shqiptarët të mbetet vetëm një grup njerëzisht që mund të quhet dhe “Abdulhadi Veseli & Kompani”. E cila tani rreth vetes grumbullon njerëz që për t’u bërë ministra janë të gatshëm të bëhen vëllezër edhe me ata me të cilët deri dje nuk i lan gjë pa i sha njëri tjetrit.
IM

  • email Email shokëve
  • print Printo
  • Plain text Vetem tekst