Partneret e Cairit
Hyrje | Projekte | Për Mediat | ME DY KËMBË TË MAJTA

ME DY KËMBË TË MAJTA

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Mandatari i kësaj qeverie i ngjan fëmije të vogël, i cili gjithmonë dëshiron të vesh këpucët e të rriturve. Edhe atë mbrapshtë, me çka lë përshtypjen se të dy këmbët i ka të majta. Që do të thotë se lehtë mund t’i ngatërrohet hapi dhe të përplaset me turinjtë në tokë. Andaj edhe kjo qeveri jolegjitime për shqiptarët, luhatet, vështirë e ka të qëndrojë drejtë

Ky mandatarë, i ndihmuar nga shërbëtorët e vet të PDSH-së, nuk luhatet vetëm lidhur me dy çështje: bojkotimin e komunave të banuara me shumicën shqiptare - ato të udhëhequr nga kuadrot e BDI-së, dhe në qëndrimin e vet antishqiptarë. Ky mandatar është i suksesshëm vetëm në gjetjen e shërbëtorëve që do ia mundësojnë t’i dënojë shqiptarët që përkrahën koalicionin BDI-PPD dhe të gjitha investimet, heshturazi t’i drejtoj nëpër komunat e Maqedonisë Lindore. Si e tillë, kjo e ashtuquajtur qeveri, tani për tani ka arritur vetëm një rezultat: marrëdhëniet ndëretnike t’i kthej aty ku ishin para vitit 2001 dhe të fus grindjen ndërpartiake mes shqiptarëve. Edhe atë duke u vetëgënjyer se grindja brendashqiptare sjell harmoni në etnitetit maqedonas.

Pra, duke harruar të vërtetën se grindja brendashqiptare, i trand edhe themelet e shtëpisë ku të gjithë jetojmë. Mandatari i qeveris së tanishme, kryetari i VMRO-DPMNE-së, shkeli rëndë votën e shqiptarëve të këtushëm, duke mos përfillur vullnetin shumicë politikë të popullit tonë. Tani ai vazhdon të dënojë shqiptarët që nuk i takojnë degës së tij partiake – të PDSH-së, ata që votuan për koalicionin BDI-PPD. Këtë ajo e bënë e ndihmuar dhe përkrahur nga PDSH-së, e cila siç duket nuk i konsideron se janë shqiptarë ata që nuk e përkrahin konceptin e saj politik. Kështu që, në njëfarë mënyre, sot janë të mbrojtur vetëm shqiptarët që kanë librezën partiake të PDSH-së, se gjithë të tjerët janë lënë në mëshirën e mandatarit.

Pra, është duke ndodhur diçka si në kohët e socializëm, kur nga shqiptarët kërkohej “përshtatshmëri” politike e verifikuar nga qarqet maqedonase, ndodh ajo që kishim besuar se është e kaluar, që nuk do kthehet kurrë më: vota e shqiptarit të riverifikohet nga mandatari, me çka hapet rruga që përfaqësuesit shqiptarë në institucionet më të larta shtetërore të mos jenë të zgjedhurit e popullit, por të pëlqyerit e mandatarit. Me shqiptarët e sotëm në Maqedoni ndodh ndërprerja e procesit të institucionalizimit të tyre, shkatërrimi i një klase profesionale nëpër institucionet shtetërore, ku ngutazi kuadrot e mëparshëm zëvendësohen me partiakët e dëgjueshëm të PDSH-së. Me çka edhe një herë u dëshmuar se PDSH-ja ndihmon konceptin e disa qarqeve maqedonase që shqiptarët e këtushëm të mos mund të ndërtojnë një klasë administratorësh profesionale që do punojnë nëpër institucionet publike pa marr parasysh garniturat qeverisëse.

Nëse njeriu gjykon logjikisht dhe pyet veten se cilat do ishin arsyet që shtyn mandatarin të shkelë vullnetin politik shumicë te popullit shqiptarë, pra ç’ishte ajo që e shtyu t’i acaroj marrëdhëniet ndëretnik në Maqedoni, nuk gjen asnjë përgjigje të logjikshme. Nëse njeriu pyet veten se cili do ketë qenë qëllimi më i lartë kombëtarë, apo partiak i PDSH-së, që kryesuesit e kësaj partie i shtyu të shkelin mbi votën e popullit që përfaqësojnë, pra që i çoi të lejojnë që pala maqedonas të bëjë riverifikimin e votës shqiptare, përsëri njeriu i logjikshëm nuk gjen asnjë përgjigje të arsyeshme që sadopak do shpjegonte këtë veprim, mbase edhe antikombëtar të kryesuesve të kësaj partie. Shikuar nga ky këndë, njeriu fillon të mendoj edhe ashtu siç nuk duhet dhe të përballet me dilema të shumta. Bile edhe me atë se ndoshta partnerët e këtij koalicioni qeveritarë kanë vetëm një qëllim: t’u hakmerren shqiptarëve për konfliktin e vitit 2001, për atë pse masovikisht iu bashkëngjitën Ali Ahmetit. Apo edhe të çojnë deri në fund projektin e dikurshëm të ish udhëheqësit të VMRO-DPMNE, atë të Lubço Georgievskit, i cili doli me koncepte për ndarjen territoriale të Maqedonisë.

Se PDSH-ja merr pjesë në projektin e disa qarqeve maqedonase për devalvimin e vlerës më të lartë të shqiptarëve të këtushëm – atë të UÇK-së – qartë shihet nga sulmet e ashpra që kryesuesit e kësaj partie ia drejtojnë Ali Ahmetit. Se kjo qeveri mbase edhe nuk është e interesuar për marrëdhënie të mira ndëretnike, dëshmon edhe situata në Shkup, ku maqedonasit etnik gjithnjë e më pakë e kalojnë Urën e Gurit që të vizitojnë pjesën veriore të qytetit ku ndodhet komuna të cilën unë kryesoj. Kështu që kam frikë se qeveritarët e tanishëm, në heshtje, në njëfarë mënyre stimulojnë “bejrutizimin” e kryeqendrës së Maqedonisë, ndarjen e kësaj kryeqendre në baza religjioze dhe etnike.. Dhe këtë projekt e realizojnë në bashkëpunim me udhëheqësit e PDSH-së, të cilët prej moti hoqën dorë nga Shkupi. Me çka, me vetëdije, apo pa të, realizuan dëshirën e qarqeve antishqiptare të etnitetit maqedonas, që Shkupi të ketë shenjë njohëse vetëm kryqin e madh të vendosur në malin Vodno. E ndërtimin e këtij kryqi, para 2001, e inicioi dhe pjesërisht e financoi kjo e njëjta përbërje qeveritare. Pra u financua në kohën kur në koalicionin qeveritar ishte po kjo e njëjta PDSH, kryesuesit e të cilës bojkotuan vendosjen e përmendores së Skënderbeut në Shkup me mospjesëmarrjen e vet në këtë kremte mbarëshqiptare.

Ambienti politik brenda shqiptarë në Maqedoni, mund të vlerësohet edhe si mosmarrëveshje e tyre me vetveten, por duke shtuar se është e nxitur nga “shërbëtorët” e VRMO-DPMNE-së. Mund ai ambient të shihet edhe nga këndi i një prakticizmi bajraktaresk të politikës, që e promovuan kryesuesit e PDSH-së, të cilët siç duket udhëhiqen sipas parimit se ardhja në pushtet i arsyeton të gjitha mjetet, e bile edhe dhunën dhe kriminalizimin e shoqërisë shqiptare në Maqedoni. Mbase shqiptarët e këtushëm janë në fazën kur do duhet të dallojnë ç’është interes partiak, ç’është interes shtetërorë, e ç’është interes kombëtarë.

Por, si do që të jetë, shqiptarët e këtushëm duhet sa më shpjet të qartësojnë se ku i çon kjo politikë me “dy këmbë” të majta, se çka arrijnë nëse pranojnë rolin e “shërbëtorit” politik në përbërjet qeveritare. Ata do duhet të gjejnë mekanizma si t’i kundërvihen këtij mandatari i cili nëpërmjet PDSH-së, i ndëshkon shqiptarët shkaku i pjesëmarrjes së tyre në konfliktin e 2001. Kam frikë se revolta e shqiptarëve do merr aso përmasash, sa ata do të humbin durimin dhe besimin se dikush mbron interesat e tyre politike në këtë shtet. Kam frikë se u hapet rrugë qarqeve radikale, të cilat jo se do mund të nisin ndonjë konflikt, por do kriminalizojnë dhe radikalizojnë shoqërinë e këtushme shqiptare.

Mendoj se të gjithë ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm dhe të vetëdijshëm për këtë rrezik. Dhe duhet të dimë se disa qarqeve politike maqedonase u shkon për shati ky radikalizim i marrëdhënieve mes partive të këtushme shqiptare. Më në fund, ka qarqe maqedonase që hapur thonë se konflikti i 2001 nuk ka marr fund, që duan t’i hakmerren Ali Ahmetit dhe andaj tani merren me akt-akuzat e Hagës që duhet kthyer në Maqedoni, që ëndërrojnë ndonjë gjykim vendorë të ish udhëheqësve të UÇK-së. Gjë e cila siç duket u shkon për shtati dhe fare nuk u pengon as kryesuesve të PDSH-së. Të cilët mbase edhe mendojnë se asgjësimi i kryesuesve të dikurshëm të UÇK-së, se njollosja e kësaj vlere më të lartë që kanë shqiptarët e Maqedonisë, atyre do u krijoj hapësirë më të madhe për të mbetur “sundues” të vetëm e të përjetshëm të shqiptarëve të këtushëm. Apo më mirë thënë, mashë e përhershme e VMRO-DPMNE, e cila parti maqedonase është e njohur si e vetmja që në fillimet e saja kërkonte “Dhoma gazi për shqiptarët” dhe “Maqedoni të spastruar nga shqiptarët”.

I.Mexhiti

  • email Email shokëve
  • print Printo
  • Plain text Vetem tekst