Partneret e Cairit
Hyrje | Projekte | Për Mediat | TRUPI PA SHPIRT

TRUPI PA SHPIRT

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Perfundoi edhe kongresi i PDSH-së. Morri fund edhe cirku lidhur me një nga dorëheqjet e shumta të radhës të Arbër Xhaferit. E prapë nuk u morr vesh pse ai tërhiqet, kur Taçi u betua se nuk do të sjell asnjë vendim pa pëlqimin e tij. Në ndërkohë, Arbëri thotë se do ti përkushtohet familjes, leximit e shkrimit, thuajse deri tani ka bë diçka më shumë se kaq!?

E nuk tregon si do e përmbush premtimin publik të Taçit se ai do e udhëheqë partinë, por prap bashkarisht me Arbërin do vendosin për çdo gjë. Nëse Arbëri kthehet atje nga erdhi – në Prishtinë a do të thotë kjo se tani PDSH-ja do të ketë ndonjë seli të re “alternative”, në kryeqendrën e Kosovës, apo do kenë lidhje të pandërprerë satelitore që punët e Taçit menjëherë t’i nëshkruaj Arbëri. Njëjtë siç vepronte tërë këto vite kur ishte si “mbretnesha e anglisë” në PDSH: shkonte aty ku e çonte Taçi, merrte pjesë në mbledhjet parlamentare vetëm kur duhej të votohet ndonjë “baxhanak” dhe na shpjegonte atë që nuk dinte ta thotë Taçi. Që të mos jemi jo korrekt, duhet ta pranojmë se Arbëri ka bë edhe punë më të mëdha se kaq për shqiptarët e Maqedonisë. Si për shembull, promovimin e Taçit në Tiranë në emsionin “Shqip”. Këtë me siguri e bëri që t’ia rrisë shikueshmërinë këtij emisioni në trojet kudo që ka një shqiptarë të vetëm. Që të gjithë ta shohin kush vendos për ne - shqiptarët e Maqedonisë, se kemi lider për të na pasur zili. Arbëri e promovoi Taçin në Tiranë me siguri edhe për arsye më të mëdha atedhetare: që kur të mos ketë ai kohë, Taçi ta zëvendësojë në shpjegimin dhe realizimin e projekteve për gjithë shqiptarët kudo që jetojnë në trojet e tyre.

Ku ta dish, çdo gjë është e mundur mes këtij dyshi që me të vërtetë funkciononte, dhe siç duket do vazhdoj të funkcionoj edhe tutje, ashtu siç e pranojnë edhe ata vet - si “trupi e shpirti”. Ne prej moti e dinim se është kështu, po mirë që kësaj radhe kjo u tha më hapur. Që ta dëgjojnë edhe ata të Tiranës, e ta dinë se sa herë atje kanë patur mysafir Arbërin, ai ka qenë si “shpirti” pa “trup”. Ta dinë të gjithë se ndarja e Arbërit prej Taçit është e pamundur. Sepse trupi pa shpirt kalbet, bëhet i papërdorshëm, i palëvizshëm, mbetet i vdekur. Ndërsa shpirti pa trup është si fantazmë, i patrajtë, e ke gjithkund e nuk vlen asgjë.
Nëse në PDSH gjithmonë është ditur se kush është “trupi” e kush “shpirti”, mbeti fshetësi se cili ishte truri i kësaj partie. Dikush thotë se truri është këtu, e tjetri aty, varësisht nga qëllimi që kanë ata të cilët merren me këto punë. Ndoshta trunin e kësaj partie do mund ta zbulojnë gjeneratat e ardhsme, ata që do jenë të çliruar nga këto hipoteka të gjeneratave të sotme dhe do arrijnë qetë e pa animozitet të vlersojnë si ka lëvizur “trupi” dhe si është ndjerë “shpirti” i PDSH-së gjatë viteve deri sa premtonin shumë e nuk bënin asgjë. Si dhe të zbulojnë cilat janë arsyet që e çojnë Taçin aq guximshëm të premtoj se ia ka vu për qëllim vetes ta “demaskojë” veprmtarinë e udhëheqësive të dikurshëm të UÇK-së. Gjeneratë e cila do të zbuloj pse Taçit i pengojnë ish udhëheqësit e UÇK-së, thujase dëshiron të merr hak pse Lube Boshkovski shkoi në Hagë?!

Përderisa në kongresin e PDSH-së “shpirti” i kësaj partie deshti të bëjë të pamundurën – të ndahej nga “trupi”, Taçi ia rikujtoi se ka gjëra që janë të panatyrshme dhe tha se edhe mëtej ai si “trup” nuk don të mbetet pa “shpirt”. Njëkohësiht dikush nga Tirana shprehi keqardhje pse nuk është Arbëri qytetarë i Shqipërisë, që ta bënin president të shtetit. Ndoshta do ishte mirë të ndodhte kjo! Edhe është për t’u habitur pse Shqipëria nuk e shfrytëzon këtë mundësi të rrallë. Pse nuk i japin një shtetësi të ngutshme Arbër Xhaferit. Pasi që Sofja mundi ta bëjë këtë me Lupço Georgiveskin, pse Tirana të mos veproj ngajshëm duke e pasur më lehtë: nuk është deklaruar Arbëri paraprakisht si joshqiptarë, që ta ketë të vështirë. Ndoshta Shqipëria këtë nuk e bënë nga frika se e dinë se së bashku me “shpirtin” atje do i shkojë edhe “trupi”. Por do bënin mirë ta merrnin këtë “komplet” që e udhëheq PDSH-në. Që të kenë një arsye më pak që tua kenë zili shqiptarëve të Maqedonisë. Dhe që t’u nisë edhe atyre puna mbarë. Sepse Taçi e Arbëri atje mund të funkcionojnnë më mirë sesa këtu. Ndoshta ne edhe nuk dimë ta vlersojmë punën e tyre, mbase numri ynë është i vogël për atë kapacitet atdhetarë që kanë ata dy.

Çka nuk u tha lidhur me kongresin e PDSH-së dhe ardhjes së liderit të ri në krye të kësaj partie. Por të gjithë, analistë e politikan, nuk e thanë atë më të rëndsishmen: se Arbër Xhaferi objektivisht kurrë nuk ka qenë kryetarë i kësaj partie. Si shumë të tjerë, edhe ai ishte në “punë të përkohshme” te Taçi. Vetëm se Arbërit ky punësim i zgjati më shumë, ta zëmë, se Bardhyl Mahmutit dhe disa të tjerë përpara tij që erdhën e shkuan nga kjo parti. Do jetë temë interesante për studjuesit e ardhshëm të shpjegojnë pse Arbëri aq shumë vite iu desht Taçit. Apo cila veti e Arbërit aq gjatë e mbajti atë te punëdhënësi - Taçi?
Mirëpo, ndoshta Arbëri më së miri e ka njohur Taçin dhe ka ditur që mos tia prishte kurrë, siç i ka hije çdo “shpirti” i cili duhet të pajtohet me “trupin” të cilin e mbanë gjallë. Më në fund, nuk është thënë kot, çdo trup bart shpirtin që e meriton e përgjegjësinë e mbjanë të dy së bashku: trupi për shpirtin, e shpirti për trupin. E këta dy së bashku arritën gjatë kësaj kohe diçka që kërkon analizë të veçantë: të përdorin aq njerëz, sa i harxhuna thuajse të gjithë. Filluan me Fadil Suljemanin në vitet kur së bashku demonstronin nëpër Tetovë, e përfunduan me Bardhul Mahmutin, të cilin e nxorrën edhe në ekranet televizive që të kryente punën për të cilën e kishin marrë – të shante ish udhëheqësit e PDSH-së.

Kongresi i PDSH-së morri fund. Tani edhe zyrtarisht lider i kësaj partie është punëdhënësi që të gjithë anatarët e PDSH-së i konsideron si argat të vet. Taçi kështu ka filluar t’i llogarisë edhe gjithë shqiptarët e Maqerdonisë, prandaj fare nuk lodhet çka mendojnë ata për të. Më me rëndësi e ka të kryej ndershëm punët çka ia thotë “truni” i këtij “trupi” dhe “shpirti”, i cili “tru” siç duket, momentalisht është Gruevski. Po i njëjti Gruevski që kongresin e PDSH-së e përshëndeti shqip. Kështu që shqiptarët më as që e marrin vesh se a është Taçi “komit” apo Gruevski është bërë “ballist”. Siç shkojnë punët kjo edhe nuk është gjithaq e rëndësishme. Rëndësi ka ajo se Maqedonia është shtet i cili funkcionon me cilëndo qeveri. Se ky është shtet i fortë dhe duron çdo gjë. Në një shtetë të tillë qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm ndaj trupit e shpirtit të tyre, sepse ka të bëjë edhe me udhëheqës që nuk e dinë se një ditë edhe trupi e shpirti ndahen dhe çdonjeri jepë llogari për atë që ka bërë.


Shkruan: Izet Mexhiti

  • email Email shokëve
  • print Printo
  • Plain text Vetem tekst