Partneret e Cairit
Hyrje | Struktura | Kryetari | Intervista | “Shkupin e bëmë epiqendër të shqiptarisë në Maqedoni”

“Shkupin e bëmë epiqendër të shqiptarisë në Maqedoni”

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Është më shumë çështje simbolike, por në plan gjithëkombëtar, ajo që është Tirana e Prishtina për shqiptarët andej, është Shkupi këndej. Dhe, kjo bëhet pas shumë viteve, qëkur ishin hartuar plane që shqiptaria në Shkup të zbehej deri në zhbërje. Kur gjithë kësaj i shtohet edhe aktiviteti që u organizua më 25 nëntor në Shkup, me prani të kryeministrave Sali Berisha e Hashim Thaçi, si dhe të zyrtarëve më të lartë shqiptarë të Maqedonisë, kujtoj se ia kemi dalë që Shkupin ta kthejmë aty ku e kishte projektuar Hasan Prishtina më 1912.

 

 

Izet Mexhiti që nga viti 2005 është kryetar i komunës së vetme urbane në Shkup, asaj të Çairit dhe njëherazi nënkryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim. Sidomos ishte në epiqendër të aktiviteteve që u organizuan aty me rastin e 100-vjetorit. Kjo, por edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me Shkupin, si projekti “Shkupi 2014”, por edhe çështje kryekëput politike që kanë të bëjnë me pjesëmarrjen e BDI-së në qeveri, ishin arsyeja e realizimit të kësaj interviste.

 

SHENJA: Jeni në fund të mandatit tuaj të dytë si kryetar i komunës së vetme urbane shqiptare në Shkup. Nga kjo perspektivë sa mendoni se ia keni dalë që t’i përmbushni premtimet që ua keni dhënë qytetarëve të Çairit? Me çka mund të mburreni se e keni përmirësuar cilësinë e jetesës?

I. MEXHITI: Para se të flas se çka kemi bërë gjatë këtij mandati, do të më lejoni që të them se çka trashëguam ne në fakt kur e morëm Komunën e Çairit. Siç e dini, Çairi që është sot dikur ka qenë komunë e ndarë në dy pjesë, mes Komunës Qendër dhe komunës së vjetër Çair. Dhe, as Qendra, as Çairi asnjëherë nuk janë qeverisur nga ndonjë shqiptar. Prandaj përpjekja e parë ishte që ne të krijojmë një njësi të vetëqeverisjes lokale shqiptare në Shkup, duke i bashkuar pjesët e Qendrës dhe të Çairit, ashtu që me Ligjin e vetëqeverisjes lokale, të miratuar në vitin 2004, megjithëse na u dha një hapësirë e ngushtë për shqiptarët në Shkup, kjo për llogari të shqipes standarde në gjithë qytetin e Shkupit, përbën një hap historik në Maqedoninë e re, sepse për herë të parë u krijua mundësia që shqiptarët në Shkup të kenë një kryetar komune shqiptar. Pastaj në zgjedhjet lokale të vitit 2005 e fitova mandatin nga shumica e votuesve dhe që atëherë jam në krye të kësaj komune.

Tash në Çair jetojnë rreth 60% shqiptarë, 24% maqedonas, 6% turq, kemi romë, boshnjakë serbë e të tjerë, që kështu përbëjnë një komunë me multietnike me shumicë shqiptare.

Këtu dua të theksoj se ardhja e një shqiptari në krye të Çairit, me gjithë nevojën e zgjidhjes së një varg problemesh të stërngarkuara qëllimisht të infrastrukturës, më shumë përbënte një fitore në kuptim të simbolikës së saj – kthimin e shqiptarisë në Shkup, ishte një fitore për dinjitet. Prandaj, ne bashkë me një varg detyrash në plan infrastrukturor, gjatë këtyre viteve jemi munduar që ta mbrojmë këtë dinjitet të shqiptarëve në Shkup dhe gjithnjë ta fuqizojmë. Për këtë qëllim jemi në realizim të projektit të sheshit “Skënderbeu”, kemi vendosur disa shtatore në funksion të këtij identiteti, ashtu që kujtoj se asnjëherë më parë shqiptarët nuk janë ndjerë më mirë se tash në Shkup.

Sa u takon aspekteve të jetës infrastrukturore në Çair, ne trashëguam një gjendje tipike të geotizimit, në të cilën pushteti gjatë gjysmë shekulli nuk kishte investuara thuaja asgjë. Këtu kemi mbase lagjet e vetme më të dendura në Republikën e Maqedonisë, por sigurisht edhe më gjerë. Në Çairin me sipërfaqe prej 3.5 km katrorë jetojnë 18.400 banorë në 1 km katror, që është një dendësi e jashtëzakonshme për një komunë urbane. Kur i shtojmë këtu lagjet që ishin plotësisht të paurbanizuara, ndërtimet e a.q “të egra”, pra pa leje ndërtimi, që në Çair ishin lagje të tëra, vërtet ishte vështirë që përnjëherë të ndryshonte cilësia e jetës së këtyre banorëve. Ne deri tash kemi realizuar disa projekte urbanizuese, kemi vendosur kanalizime të reja aty ku nuk ka pasur fare, kemi realizuar projekte për tubimin e ujërave atmosferike, të ujërave të zeza, kemi ndërtuar dy shkolla të reja, kemi meremetuar disa të tjera etj., që kapin shifra milionëshe, dhe ato janë bërë rëndom falë angazhimit maksimal e vetëmohues të stafit të komunës për gjetje të donatorëve të huaj, natyrisht edhe me ndihmë të pushtetit qendror, por kur ke të bësh me një territor që për gjysmë shekulli është trajtuar si pikë e errët në kozmos, sigurisht ndryshimet nuk mund të priten shpejt. Ata që jetojnë në Çair i ndjejnë këto zhvillime, por jam i mendimit se për 7 vite është e paimagjinueshme të përmirësohet një mohim 50-vjeçar. E mira është se me ligjin e ri për legalizim të vendbanimeve “të egra” dhe blerje të pronës, tashmë shumica e qytetarëve të Çairit i kanë legalizuar shtëpitë e tyre dhe kjo ka filluar t’i japë frytet e para, kur në vend të disa shtëpive tash po ngrihen ndërtesa që do të krijojnë hapësirë më të madhe për qytetarët dhe, mbase, jetë më cilësore për këta banorë.

Përveç projekteve që i kemi në realizim e sipër, ne jemi duke punuar edhe në zgjerimin e kufijve të Çairit, me çka kujtojmë se në plan afatgjatë do të mund të krijojmë më shumë hapësirë për banorët e kësaj komune. Kjo, sigurisht, varet edhe nga faktorë të politikës qendrore, por jemi duke punuar dhe besoj që shumë shpejt do ta arrijmë këtë.

 

SHENJA: Keni qenë në qendër të vëmendjes në të gjitha zhvillimet që janë bërë me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë në Shkup? Cila ishte simbolika e këtij angazhimi?

I. MEXHITI: Ashtu siç theksova më sipër, shqiptarët e Shkupit e ndjejnë Çairin si Shkupin shqiptar. Prandaj gjithçka gjatë 100-vjetorit zhvillohej këtu. Çairi ishte komuna që shpërndau flamurë kuq e zi, këtu u ngrit shtatorja e Hasan Prishtinës, këtu, në bashkëpunim me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, u mbajt konferenca shkencore për Hasan Prishtinën, këtu në bashkëpunim me SHB “Logos-A”, që po ashtu bie në Çair, shpërndamë 100 mijë libra në të gjitha trojet shqiptare në Ballkan, ashtu që kujtoj se synimin tonë që Shkupin ta kthejmë në epiqendër të shqiptarëve, një epitet që gjatë viteve të ’90-ta e kishte humbur, kujtoj se ia kemi dalë. Kjo vërtet është më shumë çështje simbolike, por në plan gjithëkombëtar, ajo që është Tirana e Prishtina për shqiptarët andej, është Shkupi këndej. Dhe, kjo bëhet pas shumë viteve, që kur ishin hartuar plane që shqiptaria në Shkup të zbehej deri në zhbërje. Kur gjithë kësaj i shtohet edhe aktiviteti që u organizua më 25 nëntor në Shkup, me prani të kryeministrave Sali Berisha e Hashim Thaçi, si dhe të zyrtarëve më të lartë shqiptarë të Maqedonisë, kujtoj se ia kemi dalë që Shkupin ta kthejmë aty ku e kishte projektuar Hasan Prishtina më 1912.

 

SHENJA: Gjatë shënimit të 100-vjetorit vërehej, si për inat, valëvitja e shumtë e flamujve shqiptarë gjithandej nëpër Shkup. A ishte kjo në funksion të zënkave që i keni me partnerin tuaj të koalicionit VMRO DPMNE-në e Nikolla Gruevskit?

I. MEXHITI: Shihni, flamuri shqiptar tashmë është zyrtar në Maqedoni. Megjithëse mund të ketë probleme, kujtoj se kur ka vullnet të mirë, gjithçka është e realizueshme. Flamuri kombëtar shqiptar nuk është vetëm flamur i Republikës së Shqipërisë. Ai është flamur shqiptar, i të gjithë shqiptarëve të planetit. Ai është simbol i identitetit tonë. Për fat të mirë, këtë e kanë kuptuar edhe bashkëqytetarët tanë maqedonas dhe nuk kemi pasur ndonjë problem. Natyrisht, këtu nuk bëhet fjalë as për marrëveshje, as për fushatë politike, por thjesht ishte festa e 100-vjetorit të flamurit dhe ajo festë nuk festohet ndryshe, pos me flamur. Nëse e kundrojmë në aspekt tjetër, kujtoj se kjo festë ka shërbyer për shqiptarët në Shkup dhe më gjerë që ta identifikojnë veten me këtë flamur. Kur kihet parasysh se jo më larg se para 15 viteve shqiptarët në Maqedoni vriteshin e burgoseshin për shkak të përdorimit të flamurit kombëtar, kujtoj se ka qenë momenti i fundit që të kremtohet çasti kur shqiptarët pa drojë mund ta përdorin flamurin.

 

SHENJA: Para do kohe ju i ndërruat emrat e disa shkollave me emra të figurave të historisë shqiptare. Mirëpo, teksa ju pretendoni se kjo çështje tashmë është mbyllur, ministri i Arsimit pohon të kundërtën, duke thënë se ndërrimi i emrave duhet të kalojë një procedurë krejt tjetër. Deri ku ka mbetur kjo punë dhe si mendoni se do të jetë epilogu i kësaj çështjeje?  

I. MEXHITI: Në Çair, për arsyet që i përmendëm më sipër, kanë ndodhur edhe paradokse të tipit ku të gjithë nxënësit kanë qenë shqiptarë, arsimtarët shqiptarë, drejtoria shqiptarë, ndërsa shkolla ka pasur emër të ndonjë heroi komunist a heroi tjetër maqedonas, që nuk ka asnjë lidhje me shqiptarët që mësojnë aty. Dhe, kjo ka qenë kërkesë e kamotshme e shqiptarëve në Çair dhe unë kujtoj se kjo është plotësisht e arsyeshme. Andaj, ne nuk kemi bërë asgjë më shumë, pos që i kemi mbështetur prindërit, arsimtarët dhe drejtoritë në kërkesën e tyre që në vend të atyre emrave t’i vendosim emrat e Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës, Jashar bej Shkupit dhe një dëshmori të UÇK-së, Imri Elezi. Ne nuk kërkuam që në shkollat maqedonase të vihen emra të heronjve shqiptarë, por thjesht në shkollat tona e bëmë këtë ndryshim. Dhe, vërtet është për t’u habitur pse pala maqedonase e konteston një vullnet të tillë. Tani çështja ka mbetur që ministri i Arsimit t’i nënshkruajë ndryshimet statuteve të shkollave dhe kjo të jetë zyrtare. Si duket, pala maqedonase dëshiron ta zvarritë këtë çështje, megjithëse ata e dinë shumë mirë se gjithçka që shqiptarët ia kanë mësyrë në Maqedoni, ia kanë dalë. Kujtojeni këtu Universitetin e Tetovës dhe shumë gjëra të tjera, që pala maqedonase i quante “ëndrra të bukura”, që pas një kohe u bënë realitet. Prandaj kujtoj se kjo vetëm mund të vonohet, duke pritur politikanë më të arsyeshëm, por kthim prapa nuk ka. Tabelat e reja të shkollave tashmë janë vënë, nxënësit e festojnë patronatin e shkollave me emrat e rinj, ashtu që ka mbetur vetëm çështja teknike që ky problem të ketë epilog të dëshiruar.

 

SHENJA: Përkundër asaj që ju e llogaritni si fuqizim i shqiptarisë në Shkup, mendoj se duhet ta pranoni se shqiptarët në Shkup janë në siklet nga projekti “Shkupi 2014”. Zgjerimi i sheshit “Makedonija”, ngritja e dhjetëra përmendoreve dhe kishave nga maqedonasit në Shkup është pranuar si disavantazh...

I. MEXHITI: Është e vërtetë se projekti “Shkupi 2014” është një projekt siç e përshkruani ju dhe ai paraqet një temë të ndejshme në Maqedoni. Përveç kostos së lartë financiare, që sigurisht e ka dëmtuar shumë shtetin, por edhe pasojave në marrëdhëniet ndëretnike që i ka shkaktuar, ai më shumë flet për problemet që i ka kombi maqedonas me identitetin e tij.

Sa i takon projektit në fjalë, ai është përgatitur dhe ka kaluar në qeveri gjatë qeverisjes famëkeqe 2006-2008, kur ne nuk ishim pjesë e ekzekutivit. Kur erdhëm ne në pushtet, atë projekt e kishim peshqesh, ashtu që neve nuk na mbeti tjetër, pos të që të përmirësojmë marritë që ishin bërë. Në këtë mënyrë ne e ndryshuam identitetin monoetnik të këtij projekti, duke inkuadruar edhe shtatore të figurave shqiptare, në pjesën e Çarshisë po e realizojmë projektin e sheshit “Skënderbeu”, ndërsa kalaja e Shkupit u shpëtua nga tjetërsimi i identitetit të saj. Kujtoj se në këto kushte, duke riparuar gabimet e të tjerëve, kaq mund të bëhej. Mendoj se në të ardhmen ka hapësirë të bëhet edhe më në këtë aspekt.

 

SHENJA: Meqë jeni edhe nënkryetar i BDI-së, në thoni cila është pozita aktuale e partisë suaj në qeveri? Prej disa muajsh në opinion BDI-ja dhe VMRO DPMNE-ja para opinionit krijojnë përshtypje se janë në zënkë dhe mosmarrëveshje të thella. Por, teksa kjo mund të thuhet se është përshtypja e parë, nga një analizë paksa më e thellë krijohet përshtypja se gjërat nuk janë edhe aq keq, ngase pavarësisht përplasjeve publike, shohim se Qeveria e koalicionit po ju funksionin mirë. A mos të gjitha këto janë lojëra politike?

I. MEXHITI: Ajo që duhet ta pranojmë është se ne vërtet kemi mospajtime për disa çështje në bashkëqeverisjen tonë me partnerin e koalicionit VMRO-DPME. Kemi dallime për disa çështje, por jo për të gjitha. Qeveria vazhdon të funksionojë dhe në aspekt të gjërave të tjera kemi marrëdhënie normale. Ajo që thotë opozita shqiptare, ky është një diskurs i njohur i saj dhe nuk na brengos shumë. Ne po përpiqemi ta bëjmë punën tonë: ta bëjmë betejën brenda institucioneve, ta mbrojmë votën shqiptare dhe mandatin që na e kanë besuar qytetarët shqiptarë, për çka kujtoj se deri tash kemi qenë korrektë. Është e ulët të mendohet se kur flasim për çështje jetike shqiptare, të flitet për pikë politike. Ne në disa raste e kemi dëshmuar këtë dhe ne nuk kemi çka të bëjmë fushatë, sepse qëkur jemi në skenë në të gjitha zgjedhjet i kemi fituar të gjitha partitë shqiptare, ndërsa të gjitha sondazhet përsëri na nxjerrin fitues, ashtu që ne nuk kemi nevojë të bëjmë fushatë. Thjesht po e bëjmë betejën tonë dhe detyrën që e kemi marrë nga votuesi shqiptar në Maqedoni.

 

SHENJA: Çfarë do të bëjë BDI-ja nëse partia VMRO-DPMNE ia del ta kalojë ligjin “e branitellave” (ish-luftëtarëve maqedonas të vitit 2001)?

I. MEXHITI: Unë ju siguroj se ai ligj nuk do të kalojë. Së paku nuk do të kalojë ashtu siç është propozuar. Prandaj më duket e padobishme të bisedohet se çka do të bëhet nëse kalon. Thjesht nuk kalon, sepse ne jemi aty. Nëse ky shtet nuk dëshiron ta rrënojë atë që jemi munduar ta krijojmë bashkërisht tashmë dhjetë vite, që mendoj se nuk është në interes të askujt, ai ligj më së miri është të tërhiqet. Siç edhe po jepen sinjale! Ndërkaq nëse insistoni, me supozimin më të skajshëm, se ai ligj kalon, përfundimisht në Maqedoni krijohet krizë, pasojat e së cilës nuk do të mund të parashikohen. Por, sigurisht nuk do të jenë në favor të bashkëjetesës, të cilën kaq vite mundohemi ta ndërtojmë. Unë mendoj se në Maqedoni nuk ka politikanë aq jovizionarë që e presin degën në të cilën rrinë ulur. Kohëve të fundit edhe politikanët maqedonas po ndërgjegjësohen se ai ligj ashtu siç është propozuar, nuk është në të mirë të ardhmërisë evropiane të Maqedonisë dhe mendoj se ata tashmë janë në gjendje të krijojnë mundësi që atë ta tërheqin.

 

SHENJA: këtë kontekst a nuk është dështim i juaji që as këtë mandat nuk arritët ta realizoni premtimin për rehabilitimin dhe risocializimin e ish-luftëtarëve të UÇK-së? Edhe sa kohë duhet do të presin ata që kjo çështje të tejkalohet?

I. MEXHITI: Megjithëse premtimi jonë nuk ka qenë eksplicit se kur do të bëhet kjo, rehabilitimi dhe risocializimi i pjesëmarrësve në konfliktin e 2001-shit është njëra nga pikat e Marrëveshjes së Ohrit dhe ajo patjetër duhet të realizohet. Kjo ka qenë pikë edhe e të gjitha rekomandimeve të BE-së për ardhmërinë integruese të vendit, ashtu që besoj se kjo është një çështje që do të gjejë zgjidhje. Por, derisa gjurmët e konfliktit janë akoma të freskëta dhe në anën tjetër kemi politikanë që dëshirojnë të përfitojnë në saje të kësaj çështje, ne nuk do të shpejtojmë që ta dëmtojmë vizionin euro-integrues të shtetit vetëm për këtë arsye. Kjo i ngjan asaj kur një fëmijë është i detyruar ta bëjë një punë, por meqë ai nuk e dëshiron, vazhdimisht gjen arsye për t’iu shmangur, por në fund e ka patjetër të ballafaqohet me faktin se ajo gjë duhet të realizohet. Duke qenë parti që nuk interesohet vetëm për shqiptarët këtu, por që e ka parasysh interesin e gjithë shtetit, ne kemi durim që këtë çështje ta zgjidhim në çastin e qëlluar pa lënë pasoja për ardhmërinë e bashkëjetesës dhe frymës evropiane të Maqedonisë. Ndërkaq, nëse më lejohet të mos jem modest, ne si parti nuk kemi lejuar që ish-ushtarët e UÇK-së të vuajnë. Kemi gjetur mundësi të tjera që ata të integrohen dhe të mos mbeten të margjinalizuar. Ka mbetur vetëm edhe pjesa e fundit e realizimit të kësaj pike ligjërisht. Që, kujtoj, se nuk ka ku ikë më gjatë.

 

SHENJA: Megjithëse Marrëveshja e Ohrit e ka sanksionuar se shqipja duhet të jetë gjuhë e dytë zyrtare në Maqedoni, deri tash – pra disa vite pas skadimit të afatit, kjo çështje ka mbetur parregulluar ende. Ku mendoni se qëndron problemi: është paaftësi e juaja apo forca penguese maqedonase është më e madhe? 

I. MEXHITI: Është e vërtetë se edhe kjo pikë është ndër çështjet e Marrëveshjes së Ohrit dhe ajo deri tash ka avancuar. Në disa fusha dhe aspekte shqipja e ka fituar plotësisht këtë status, por në disa aspekte akoma çalon dhe ne jemi të vetëdijshëm për këtë. Natyrisht, skeptikët dhe pesimistët këtë do ta quanin dështim, por realiteti është se ne e shohim zyrtarizimin e shqipes si një proces që nuk përfundon me një vendim dhe vetëm me një ligj. Janë një sërë aspektesh që lidhen me këtë çështje dhe shumica e tyre janë realizuar. Natyrisht, pala tjetër nuk është mësuar që gjithçka në Maqedoni të jetë në dy gjuhë dhe i duhet kohë që ta pranojë këtë fakt, por sa më shumë që vendi i afrohet BE-së, kjo gjë bëhet më e qartë dhe më e pranueshme, ashtu që kujtoj se në gjatë këtij ose, më së voni, në mandatin tjetër, besoj që edhe kjo çështje do të tejkalohet. Ju nuk duhet të harroni se ne në Maqedoni para dhjetë viteve kishim një konflikt të armatosur ndëretnik dhe një marrëveshje që u realizua si pasojë e këtyre luftimeve, andaj nuk është krejt lehtë të pranohen këto gjëra nga pala tjetër. Prandaj ne shumë herë kemi mirëkuptim dhe durim, sepse gjithë këtë e shohim si një proces të avancimit të gjendjes së shqiptarëve në Maqedoni, që në plan disavjeçar ka ndryshuar dhe po ndryshon me hapa marramendës.

 

SHENJA: Maqedonia as këtë vit nuk mori datë për fillimin e bisedimeve për aderim në BE e as ftesë për anëtarësim në NATO. Duke qenë parti “për Integrim”, a ndjen faj ose përgjegjësi partia juaj për këtë dështim, duke pasur parasysh se ajo i ka dy resorët e integrimeve, atë të Mbrojtjes dhe të atë të Euro-integrimeve?

I. MEXHITI: Së pari ne në asket shtetëror nuk i ndajmë gjërat në “punë tona” dhe “të atyre”. Ne jemi përcaktuar që bashkë me komunitetin maqedonas ta ndërtojmë këtë shtet dhe në plan të euro-integrimeve çdo sukses a dështim është i përbashkët. Edhe kur nuk i kemi pasur këto dy resorë, edhe tash kur i kemi, ne e kemi ndjenjën e njëjtë të përgjegjësisë. Është e vërtetë se përsëri nuk morëm datë për fillimin e bisedimeve, por pas disa viteve kjo çështje ka lëvizur nga pika zero. Natyrisht, problemi me emrin është çelësi i këtij procesi dhe ne bëjmë përpjekje inkurajuese që edhe këtë çështje ta zgjidhim. Edhe në këtë aspekt janë bërë përparime dhe për këtë duhet falënderuar komunitetin ndërkombëtar që ndihmon, por kanë mbetur edhe ca pengesa që duhet tejkaluar. Kam përshtypje se edhe ne edhe pala greke e kemi vështirë ta pranojmë se kompromisi nuk është plotësisht i kënaqshëm për të dyja palët, por me kalimin e kohës, edhe ata edhe ne po e kuptojmë se nuk mund ta mbajmë peng më njëri-tjetrin. Greqia ka problemet e veta, prej të cilave mezi merr frymë, ndërsa ne jemi lodhur më me pritjet, ashtu që tashmë janë pjekur kushtet që të arrihet një kompromis i duhur. Nëse duhet të flas nga pozicioni partiak, kujtoj se BDI-ja ka dhënë ndihmesë të madhe në këtë proces dhe kjo është dëshmuar pikërisht përmes këtyre dy resorëve, për çka kuadrot tona kanë marrë edhe mirënjohje ndërkombëtare, por në një proces si ky nevojitet vullneti më i madh se vetëm ai shqiptar.

 

 

  • email Email shokëve
  • print Printo
  • Plain text Vetem tekst