Manifestimi me rastin e 7 Marsit – Ditës së mësuesit

121
Komuna e Çairit sot në Manifestimin që u mbajt me rastin e 7 Marsit – Ditës së mësuesit nderoi 12 mësimdhënësit më të dalluar të Çairit, sikurse edhe 33 pensionistë, në mesin e të cilëve ish-drejtorin e SHFK “Jashar Bej Shkupi”, Muzafer Rexhepi, si dhe post mortem u nderua njëri nga kontribuuesit më të mëdhenj të arsimit në këtë komunë, ish-drejtori i SHFK “Vasill Gllavinov”, Qamuran Kuçi.
Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu me këtë rast theksoi se arsimi është vlera e vërtetë dhe unike e një kombi, është fryma, ekzistenca, shtylla kryesore e tij. “Mësimdhënësit secilën ditë janë tejet të rëndësishëm për të gjithë ne, mirëpo sot në veçanti shënojmë këtë ditë për të përkujtuar rrugëtimin e arsimit shqip, për t’i ngritur sa më lart traditat dhe arritjet e shkollave, për të çmuar e të nderuar figurat e mësuesve dhe punonjësve të arsimit”, ka thënë Ganiu.
Ai ka përkujtuar se sot, 135 vjet nga themelimi i mësonjëtores së parë shqipe në Korçë, procesi edukativo-arsimor në Komunën e Çairit po zhvillohet përkitazi me standardet bashkëkohore me shumë rezultate të shkëlqyeshme të nxënësve nëpër gara vendore e ndërkombëtare dhe e gjithë kjo si rrjedhojë edhe e punës së palodhshme të gjithsecilit prej mësimdhënësve dhe edukatorëve.
“Nëse drita e diturisë është më e ndritshmja, atëherë mësimdhënësit janë burimi i kësaj drite”, ka theksuar kreu i Komunës së Çairit, Visar Ganiu.
Në Manifestimin e sotëm ishin të pranishëm veteranë të arsimit, mësues, punonjës të arsimit, ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri, ish-kryetari i Komunës së Çairit dhe deputeti, Izet Mexhiti, deputetja dhe ish-drejtoresha e shkollës “Imri Elezi”, Merita Koxhaxhiku.

Merr përditësime në kohë reale në pajisjen tënde, regjistrohuni tani.

Ju gjithashtu mund të shfletoni

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. I pranoj Lexo më shumë