AKV IBE PALIKUQI FESTOI 40 VJETORIN E EKZISTËNCËS SË SAJ

Vatra e çmuar e kulturës AKV “Ibe Palikuqi” festoi ditëlindjen e saj të 40-të në atmosferë të zjarrtë festive që mahniti adhuruesit e artit të vallëzimit. Mirënjohje të thellë ndaj veprimtarisë dhe mjeshtërisë së tyre artistike falë së cilës me shumë kujdes po ruhet tradita, melosi dhe folklori ynë kombëtar shprehën lideri i shqiptarëve Ali Ahmeti, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu, udhëheqës institucionesh shtetërore dhe personalitete të shquara të botës së kulturës.

Është shumë e vështirë që me pak fjalë të përshkruash madhështinë e këtij rrugëtimi 40 vjeçar që për dekada me radhë ka qenë dhe mbetet përfaqësuesi më i denjë i trashëgimisë sonë të pasur shpirtërore të popullit tonë. Rruga që ata sot ndjekin është amaneti i shumë veprimtarëve të kulturës ndër shekujt e lavdisë. Qoftë e pashuar veprimtaria kulturore e AKV “Ibe Palikuqi”! – u shpreh Kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu në këtë ngjarje të madhe kulturore.