Sot u përurua zyrtarisht Pishina Sportive pranë SHFK “Ismail Qemali” në Fushë Topanë, një investim modern në vlerë prej rreth 1 milion eurosh, që tashmë vihet në shërbim të qytetarëve, sportistëve dhe të rinjve të Komunës së Çairit.

Në ceremoninë e hapjes, Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, së bashku me ministra, funksionarë shtetërorë dhe përfaqësues të institucioneve, vlerësuan këtë projekt si një investim me rëndësi të veçantë për zhvillimin e sportit dhe krijimin e kushteve më cilësore për gjeneratat e reja.

“Ky investim nuk është vetëm një objekt sportiv, por një hap i rëndësishëm drejt krijimit të kushteve moderne për zhvillimin e sportit dhe rekreacionit në komunën tonë. Të rinjtë tanë meritojnë hapësira dinjitoze dhe standarde bashkëkohore,” deklaroi Mexhiti.

Pishina sportive është ndërtuar sipas standardeve moderne dhe do të shërbejë për mësimin e notit, aktivitetet sportive dhe stërvitjet e klubeve sportive, duke krijuar një hapësirë funksionale dhe të sigurt.