Ritmet e flamenkos i dhanë një tjetër atmosferë natës së dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Çarshia”, me performancën e Alba Bioque dhe kuartetit “Rrënjë dhe Erë” nga Barcelona. Mes të pranishmëve ishin edhe Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, dhe Shkëlqesia e Tij Rafael Soriano Ortiz, Ambasador i Mbretërisë së Spanjës në Maqedoninë e Veriut, duke i dhënë mbrëmjes edhe një dimension të veçantë të dialogut dhe afrimit kulturor mes dy vendeve.
Me çdo natë, Festivali “Çarshia” sjell në Shkup një tjetër kulturë, tingull dhe traditë artistike. I organizuar nga Komuna e Çairit, edicioni i parë vazhdon të ndërtojë profilin e një festivali që synon të lidhë artistë, kultura dhe publikun, duke e pasuruar kalendarin kulturor të qytetit me një traditë të re ndërkombëtare.







