Çairi nderoi një mik të madh të Shkupit – Adolf Ciborowski
Sot, në Çarshinë e Vjetër, Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, së bashku me Kryetarin e Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, dhe Julia Ciborowski, mbesën e urbanistit të shquar polak Adolf Ciborowski, zbuluan pllakën përkujtimore kushtuar njeriut që dha një kontribut të jashtëzakonshëm në rindërtimin e Shkupit pas tërmetit katastrofik të vitit 1963.
Pas tërmetit, Adolf Ciborowski ishte ndër ekspertët ndërkombëtarë që mbështeti ruajtjen e Çarshisë së Vjetër si pjesë të pandashme të identitetit urban të Shkupit. Kryetari Mexhiti theksoi se qytetet nuk ndërtojnë identitet vetëm përmes infrastrukturës, por edhe duke ruajtur kujtesën historike dhe duke nderuar personalitetet që me vizionin e tyre kanë lënë gjurmë të përhershme në zhvillimin e tyre.
Vendosja e kësaj pllake përkujtimore është një shenjë mirënjohjeje për Adolf Ciborowskin dhe kontributin e tij të çmuar në ruajtjen e identitetit historik të Shkupit.







