Tingujt e parë të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Çarshia” jehuan sonte në Suli Han, duke shënuar fillimin e një ngjarjeje të re kulturore që synon të bëhet pjesë e identitetit artistik të Shkupit. Në një ambient unik historik, programi hapës solli interpretime të nivelit të lartë dhe një ndërthurje të veçantë të muzikës me trashëgiminë kulturore të Çarshisë së Vjetër.

I organizuar nga Komuna e Çairit dhe me përkrahje të plotë të kryetarit, Izet Mexhiti, nën drejtimin artistik të Inva Mulës dhe Dëshira Ahmeti-Krliut, festivali vazhdon edhe në netët në vijim me një program që bashkon artistë të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë. Përmes kësaj nisme, Komuna e Çairit synon të ndërtojë një traditë të re kulturore dhe ta afirmojë Çarshinë e Vjetër si një hapësirë ku arti dhe trashëgimia marrin jetë.