Në hapësirat e Shkollës Fillore “7 Marsi” ka nisur ndërtimi i një pishine moderne, një nga projektet më të rëndësishme sportive për brezin e ri në Çair. Gurthemeli i këtij investimi, me vlerë rreth 1 milion euro, u vendos nga kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Objekti sportiv do të ketë dimensione bashkëkohore, me gjatësi 25 metra dhe gjerësi 8.80 metra, ndërsa thellësia e pishinës do të jetë e përshtatur për mësim dhe stërvitje. Projekti synon të krijojë kushte të sigurta dhe profesionale për mësimin e notit, zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe organizimin e garave.
Pishina do të pajiset me garderoba të veçanta, dushe, hapësira për trajnerë dhe pajisje moderne, duke përmbushur standardet bashkëkohore të sigurisë dhe efikasitetit energjetik.
Ky investim përfaqëson një hap të rëndësishëm në zhvillimin e infrastrukturës sportive në komunë dhe në krijimin e kushteve moderne për aktivitetet sportive dhe rekreative të nxënësve dhe qytetarëve.









