Kujdesi për hapësirat e gjelbra dhe mjedisin urban mbetet një prioritet i vazhdueshëm në Komunën e Çairit. Sot, në bashkëpunim me NP “Parqe dhe Gjelbërime”, ka nisur aksioni njëjavor i mirëmbajtjes, me fokus në pastrimin e hapësirave të gjelbra dhe krasitjen e drunjve.

Në këtë aktivitet janë angazhuar rreth 70 punëtorë të ndërmarrjes, së bashku me punëtorët sezonalë dhe mekanizimin komunal në dispozicion. Aksioni ka filluar nga Fushë Topanë – Mega Park dhe do të vijojë në zona të ndryshme, për t’u përmbyllur në Parkun e Çairit.

Hapësirat e gjelbra janë pjesë e përditshmërisë dhe e cilësisë së jetesës në Çair. Për këtë arsye, kujdesi ndaj tyre vijon pa ndërprerje.