Mbrëmë, në skenën e Operës dhe Baletit Nacional në Shkup, u shfaq për herë të parë për publikun opera e parë kosovare “Goca e Kaçanikut”, vepër e kompozitorit Rauf Dhomi. Kjo ngjarje e rëndësishme kulturore u organizua nga Komuna e Çairit, me në krye Kryetarin Izet Mexhiti, duke sjellë një mbrëmje të veçantë të artit operistik shqiptar.

Ngjarja u ndoq nga përfaqësues të institucioneve dhe të jetës publike, të cilët me praninë e tyre i dhanë mbështetje kësaj mbrëmjeje artistike, pa e zhvendosur fokusin nga vepra dhe interpretimi në skenë.

Interpretimi i Trupës së Operës dhe Baletit të Kosovës, nën dirigjimin e Edon Ramadanit, u prit me vlerësim nga publiku, duke konfirmuar peshën artistike dhe kulturore të kësaj vepre në hapësirën shqiptare.