Me rastin e 1 Qershorit – Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, vizitoi SHFK “Ismail Qemali”, ku mori pjesë në programin festiv të përgatitur nga nxënësit dhe në përurimin e muralit kushtuar figurës së Ismail Qemalit.

I organizuar nën kujdesin e drejtoreshës Teuta Imeri, aktiviteti solli një ndërthurje të bukur të edukimit, artit dhe kujtesës historike. Përmes performancave të tyre, nxënësit përcollën mesazhe kreativiteti dhe vlerash, ndërsa murali i ri i kushtuar Ismail Qemalit do të mbetet një simbol i përhershëm i historisë dhe identitetit kombëtar për brezat që do të kalojnë nëpër bankat e kësaj shkolle.

Në ditën kushtuar fëmijëve, ky aktivitet mori një domethënie të veçantë duke bashkuar gëzimin e fëmijërisë me respektin për figurat që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë kombëtare.