Nga sot nis edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Çarshia”, një nismë e Komunës së Çairit që sjell për katër mbrëmje muzikën dhe artistë të njohur vendorë e ndërkombëtarë në dy prej hapësirave më karakteristike të Çarshisë së Vjetër, Kurshumli Han dhe Suli Han.
Festivali u prezantua sot në një konferencë për media nga Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, së bashku me drejtoret artistike Inva Mula dhe Dëshira Ahmeti-Kërliu, ministrin e Kulturës dhe Turizmit Sedat Sulejmani, si dhe përfaqësues të institucioneve kulturore dhe organizatorët. Muzikë klasike, operë, flamenko dhe serenata korçare do të jenë pjesë e programit të edicionit të parë, me synimin që “Çarshia” të ndërtojë një traditë të re kulturore dhe të zërë një vend të veçantë në kalendarin kulturor të Shkupit.










