Kopshti “Fidani” u gjallërua nga zërat dhe energjia e fëmijëve, të cilët përmes një aktiviteti të organizuar shënuan Ditën e Planetit Tokë.
Nën udhëheqjen e drejtoreshës Gzime Baki, aktiviteti mblodhi fëmijët dhe stafin në një program me elemente edukative dhe artistike. Në mbështetje të kësaj nisme ishin të pranishëm Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, dhe Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamed Hoxha, duke konfirmuar përkushtimin për një mjedis më të pastër dhe më të gjelbër.
Fëmijët recituan, kënduan dhe prezantuan punime kreative, duke përcjellë mesazhe të qarta për kujdesin ndaj natyrës. Aktiviteti u shoqërua edhe me mbjellje simbolike të drunjve, ku ata u përfshinë drejtpërdrejt.
Ky është angazhim që ndërton vetëdije që në moshë të hershme dhe forcon përgjegjësinë për të ardhmen.






