Mexhiti: Fusha ndihmëse e FC Shkupi – investim i ri për zhvillimin e sportit në Çair
Mbrëmë, Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, promovoi fushën ndihmëse të ndërtuar në stadiumin e FC Shkupi, një investim i realizuar nga buxheti i Komunës së Çairit që krijon kushte moderne për stërvitje dhe zhvillimin e futbollit.
Fusha është ndërtuar në një sipërfaqe prej rreth 3500 m² dhe është e pajisur me bar artificial sipas standardeve bashkëkohore, sistem drenazhi dhe ndriçim të plotë, duke mundësuar përdorimin e saj gjatë gjithë vitit për stërvitje dhe aktivitete sportive.
“Zhvillimi i sportit kërkon infrastrukturë cilësore dhe mbështetje konkrete. Kjo fushë ndihmëse do të krijojë kushte më të mira për të rinjtë dhe për klubet sportive, duke kontribuar drejtpërdrejt në avancimin e futbollit dhe të sportit në Çair,” theksoi Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Me këtë rast, Mexhiti shprehu mirënjohje për ish-kryetarin e Komunës së Çairit, Visar Ganiu, si dhe për Presidentin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Masar Omeragić, për kontributin e tyre në nisjen e këtij projekti.
Ky investim hap më shumë mundësi për të rinjtë dhe krijon kushte më të mira për zhvillimin e talenteve dhe aktiviteteve sportive, duke forcuar më tej traditën futbollistike në Çair.










