Përtej protokolleve zyrtare, ambientet e Komunës së Çairit u mbushën me respekt dhe mirënjohje për ata që kanë edukuar breza të tërë. Me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, priti në një takim përfaqësues të arsimit dhe mësimdhënës të pensionuar, për të shprehur falënderim dhe vlerësim për kontributin e tyre shumëvjeçar në edukimin dhe formimin e gjeneratave të reja.

Gjatë këtij takimi u ndanë mirënjohje për mësimdhënës të dalluar, si shenjë respekti për përkushtimin dhe punën e tyre në arsim. “Mësuesit janë themeli i çdo shoqërie të shëndoshë dhe çdo arritje e brezave të rinj është rezultat i përkushtimit dhe punës së tyre. Për këtë arsye, arsimi mbetet prioritet i vazhdueshëm për Komunën e Çairit,” theksoi Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.

Komuna e Çairit vazhdon të investojë në zhvillimin e arsimit përmes përmirësimit të kushteve në shkolla, pajisjes me mjete dhe infrastrukturë moderne, si dhe ndërtimit të dy shkollave të reja “Mit’hat Frashëri” dhe “Victory”, të cilat pritet të përmirësojnë ndjeshëm kushtet për nxënësit dhe mësimdhënësit.

Në përmbyllje të aktivitetit, Kryetari Mexhiti uroi të gjithë mësimdhënësit për 7 Marsin – Ditën e Mësuesit, duke shprehur mirënjohje të veçantë për përkushtimin dhe kontributin e tyre në edukimin e brezave të rinj.