Me 22 dhjetor të vitit 1992, me rezolutën A/RES/47/193, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara vendosi që 22 marsin e çdo viti ta deklarojë si Ditën Botërore të Ujit, konform Agjendës 21 të konferencës së Kombeve të Bashkuara për Mjedisin dhe Zhvillimin.
Në kuadër të kësaj, Asociacioni për edukim, sport, kulturë dhe shëndet “Eduko Plus” në bashkëpunim me Departamentin për Arsim pranë Komunës së Çairit sot në shkollën fillore “Liria” organizoj trajnim për vetëdijësimin e nxënësve dhe rëndësinë e menaxhimit të ujit, me titull “Uji – thesari ynë i çmuar”.
Në këtë ditë ftohen shtete të ndryshme për të kontribuar në nivel lokal (kombëtar), me qëllim konkretizimin e aktiviteteve në lidhje me informimin publik, inicimin e tryezave të rrumbullakëta, organizimin e seminareve dhe ekspozimeve në lidhje me ruajtjen dhe zhvillimin e burimeve ujore, si edhe diskutimin e fazave të rekomandimeve që shtrohen në Agjendën 21 në nivel lokal.