Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, së bashku me Ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, inspektuan nga afër progresin e punimeve në lagjen Dizhon, ku po realizohet një ndër projektet më të plota infrastrukturore në komunë.
Projekti përfshin 18 rrugë dhe ndodhet në fazën përfundimtare të zbatimit. Investimi përfshin ndërtimin e rrjetit të ri të kanalizimit fekal, rrjetit të ri të ujësjellësit dhe rikonstruksionin e plotë të rrugëve, duke krijuar kushte moderne dhe standard të ri jetese për banorët e kësaj zone.
Rrjeti i kanalizimit fekal është përfunduar në të gjitha rrugët dhe degëzimet anësore, ndërsa rrjeti i ujësjellësit është drejt përmbylljes, me mbi 70% të punimeve të realizuara. Pas përfundimit të plotë të tij, do të realizohet pranimi teknik nga NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”, si hap formal drejt përmbylljes së investimit, ndërsa faza e fundit do të jetë asfaltimi i të gjitha rrugëve të përfshira në projekt.
Me përfundimin e kësaj faze, Dizhon do të pajiset me infrastrukturë moderne, funksionale dhe të qëndrueshme, duke reflektuar angazhimin për investime konkrete dhe zhvillim të balancuar urban në Çair.




