Mexhiti: Çairi, ndalesa e parë e Presidentit Begaj në vizitën zyrtare
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, priti Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Bajram Begaj, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me Çairin si ndalesën e parë të kësaj agjende shtetërore.
Vizita u zhvillua me pritje institucionale në ambientet e komunës, ku u mbajt takim zyrtar në frymë respekti dhe bashkëpunimi të ndërsjellë. Në vijim, delegacioni vijoi programin në zonën e Çarshisë së Vjetër, me ceremoni solemne të vendosjes së luleve pranë bustit të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, si shenjë nderimi për figurën dhe trashëgiminë historike.
Kryetari Mexhiti vlerësoi se kjo vizitë përfaqëson një moment me rëndësi të veçantë institucionale dhe simbolike, duke riafirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve dhe përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit në të gjitha nivelet.
Prania e Presidentit Begaj në Çair thekson afërsinë historike dhe kulturore ndërmjet dy popujve, si dhe respektin për vlerat që i bashkojnë.































