Në prag të festës së Fitër Bajramit, Komuna e Çairit realizoi një aksion të zgjeruar për pastrimin e hapësirave publike në të gjithë territorin e saj, me angazhimin e plotë të shërbimeve komunale dhe në bashkëpunim me NP “Higjiena Komunale”, NP “Parqet dhe Gjelbërimi” dhe Shoqatën Vullnetare të Zjarrfikësve “Bajram Miftari”. Aksioni u zhvillua gjatë orëve të mbrëmjes dhe vijoi deri në orët e vona të natës, me fokus në pastrimin e rrugëve, trotuareve, hapësirave publike dhe zonave përreth kontejnerëve.

Si pjesë e këtij mobilizimi të përgjithshëm, aktivitete pastrimi u zhvilluan edhe në institucionet arsimore, ku nxënësit dhe stafi i shkollave “Jashar Bej Shkupi”, “Liria”, “Tefejjuz”, “7 Marsi”, “Kongresi i Manastirit”, “Vasill Gllavinov”, “Hasan Prishtina”, “Ismail Qemali” dhe “Imri Elezi” kontribuan në pastrimin e oborreve dhe hapësirave përreth shkollave. Ky angazhim reflektoi frymën e bashkëpunimit dhe ndërgjegjësimit qytetar për rëndësinë e ruajtjes së ambientit.

Njëkohësisht, u realizua pastrimi i oborreve të xhamive dhe hapësirave përreth tyre, si dhe i zonës së Çarshisë së Vjetër, duke krijuar kushte të përshtatshme për besimtarët dhe qytetarët në prag të festës. Me këtë aksion, Komuna e Çairit siguroi që qytetarët ta presin Fitër Bajramin në një ambient të pastër, të rregullt dhe dinjitoz, në përputhje me vlerat që simbolizon kjo festë.