Sot, në mbledhjen e 12-të të Këshillit të Komunës së Çairit, të gjithë këshilltarët u pajisën me laptopë zyrtarë, në kuadër të procesit të digjitalizimit dhe modernizimit të punës së Këshillit. Ky hap synon lehtësimin e qasjes në materialet e punës, përdorimin e dokumentacionit elektronik dhe reduktimin e përdorimit të letrës gjatë seancave.
Mbledhja, e udhëhequr nga Kryetari i Këshillit, Muhamed Murtezi, u zhvillua me shqyrtimin e disa pikave me rëndësi për funksionimin institucional dhe zhvillimin e komunës. Në rend dite, mes tjerash, u diskutuan edhe çështje që kanë të bëjnë me formimin e Komisionit për vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore, si dhe Programi për financimin e vendosjes, rikonstruksionit dhe modernizimit të ashensorëve në territorin e Komunës së Çairit për periudhën 2026-2028.






