Kurshumli Hani u shndërrua në një skenë të muzikës klasike dhe operistike me Mbrëmjen Gala “Inva & Friends”, një nga ngjarjet qendrore të edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Çarshia”.
Në praninë e Kryetarit të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ministrave, zëvendësministrave, kryetarëve të komunave, deputetëve, funksionarëve, përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme dhe artdashësve, publiku pati mundësinë të ndjekë performancat e sopranos me famë botërore Inva Mula, së bashku me Dëshira Ahmeti-Krliu, Norma Sereni, Ionela Mani, Mustafa Imeri, Gjergji Mani dhe Gjorgji Petrushevski, të shoqëruar nga Orkestra Simfonike e Shkupit – AYGA, nën dirigjimin e Ivan Eminović. Mysafir special i koncertit ishte Kori i Fëmijëve “Okarina” nga Kosova, nën dirigjimin e Elikona Hysaj-Shalës.
I organizuar nga Komuna e Çairit, Festivali Ndërkombëtar i Muzikës “Çarshia” vazhdon të sjellë artistë me renome ndërkombëtare dhe programe artistike të nivelit të lartë, duke afirmuar Çarshinë e Vjetër si një hapësirë të rëndësishme të kulturës dhe duke vendosur themelet e një tradite të re, që synon ta pozicionojë Shkupin në hartën e ngjarjeve më të rëndësishme kulturore të rajonit.











