Një studim të shkëlqyeshëm hulumtues për shkollat fillore të Çairit realizuan stafi akademik i profesoreshave të Univerzitetit “Nënë Tereza” – Prof. Diturije Ismaili, Prof.Kaltrina Zekolli Shaqiri, Prof.Elizabeta Bajrami Ollogu dhe Prof.Arta Xhelili, rezultatet e të cilit me vëmendjen më të madhe i dëgjuan kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu, bashkë me përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës z. Safet Neziri dhe z. Agim Ramadani, udhëheqësin e departamentit të arsimit në Komunën e Çairit z. Nuhi Dardhishta, veprimtarë të arsimit dhe studentë.
Ky shqyrtim objektiv i gjendjes aktuale është mënyra më efikase e targetimit të sfidave dhe mekanizmave vepruese për ngritjen e cilësisë së arsimit vendor. Prandaj, Komuna e Çairit e çmon lartë këtë kontribut akademik që padyshim se do ta ketë në konsideratë në strategjinë e saj për përmirësimin e nivelit të cilësisë së procesit arsimor.