Oborri i Komunës së Çairit u shndërrua sot në një hapësirë të hapur edukative, ku nxënësit e shkollave fillore komunale prezantuan punimet dhe krijimtarinë e tyre me rastin e Ditës Botërore të Librit. Në këtë festë të dijes, nxënësit patën mundësinë të bashkëbisedojnë me Kryetarin e Komunës, Izet Mexhiti, dhe Ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamed Hoxha, të cilët vlerësuan angazhimin e vazhdueshëm të shkollave dhe mësimdhënësve në kultivimin e kulturës së leximit.

Përmes ekspozimit të punimeve dhe recitimeve, nxënësit përcollën mesazhe të qarta mbi rëndësinë e librit në zhvillimin e tyre arsimor dhe kulturor, duke reflektuar përkushtimin dhe potencialin që zhvillohet në institucionet arsimore të Çairit.

Aktiviteti u organizua nga Sektori për Arsim, nën udhëheqjen e Mjellma Gashit, dhe bashkoi nxënës, mësimdhënës dhe prindër në një program të strukturuar që vuri në pah rëndësinë e leximit dhe të shprehjes krijuese në procesin edukativ.

Libri mbetet një nga shtyllat themelore të edukimit dhe zhvillimit personal. Aktiviteti i sotëm konfirmoi se investimi në dije dhe në kulturën e leximit mbetet prioritet për të ardhmen e brezave të rinj.