Në Komunën e Çairit u mbajt sot mbledhja komemorative kushtuar këngëtarit Shpat Kasapi, një prej zërave më të dashur të muzikës shqiptare. Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, priti familjarët, artistët dhe të ftuarit, duke shprehur respektin institucional për figurën dhe krijimtarinë e artistit.

Në ceremoni morën pjesë familjarë të Kasapit, artistë nga mbarë trojet shqiptare, miq, bashkëpunëtorë dhe artdashës. Me fjalë përkujtimore u vlerësua roli i Shpat Kasapit në muzikën shqiptare, ndikimi i tij në publik dhe gjurma që ai la në kulturën bashkëkohore. U theksua se vepra e tij mbetet e pazëvendësueshme dhe do të jetojë si pjesë e memories kolektive.

Për qytetarët dhe komunitetin artistik, libri i ngushëllimeve është vendosur në ambientet e Komunës së Çairit dhe do të qëndrojë i hapur deri të premten, duke mundësuar shprehjen e mesazheve të ngushëllimit.

Komuna e Çairit shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Kasapi dhe të gjithë atyre që e çmuan dhe e deshën artistin.