Dita e mësuesit, Komuna e Çairit shpalli Qytetar Nderi pronarin e Eftinija Impex, Selman Imerin

171
Dita e mësuesit, Komuna e Çairit shpalli Qytetar Nderi pronarin e Eftinija Impex, Selman Imerin për kontributin në arsim
Shkup, 07.03.2023 – Në kuadër të shënimit të 7 Marsit Ditës së Mësuesit, Komuna e Çairit sot ka shpallur afaristin z.Selman Imeri, pronarin e ndërmarrjes “Eftinija Impex” Qytetar nderi për kontributin e jashtëzakonshëm në zhvillimin e arsimit në këtë komunë. Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu tha se deri sa sot po përkujtojmë rrugëtimin e arsimit shqip tek ne, avancimin dhe arritjet e shkollave, po çmojmë e po nderojmë figurën e një njeriu që bëri shumë pikërisht në këtë drejtim.
“Z.Selman Imeri është biznesmen i mirënjohur dhe humanist. Ai është pronar i ndërmarrjes “Eftinija Impex”. Por veprimtaria e Z.Selmanit bashkë me familjen e tij nuk ka ndaluar te biznesi dhe mirëqenia personale, përkundrazi ai ndër vite të tëra ka kontribuar për zhvillimin e Komunës së Çairit, konkretisht në zhvillimin infrastrukturor të shkollave dhe të gjitha çerdheve të komunës sonë. Vepra e tij është bërë edhe më e madhe dhe më mbresëlënëse e që do të mbetet në gjurmët historike të arsimit tonë duke ndërtuar pjesën e re të shkollës fillore “Ismail Qemali” në Komunën e Çairit me sipërfaqe prej 560 metra katrorë, ku tanimë po mësojnë mbi 250 fëmijë”, tha Ganiu. Ai gjithashtu shtoi se në këtë ditë mjaftë të rëndësishme, është më se e merituar që z.Selman Imeri të shpallet qytetar nderi i Komunës së Çairit.
“Me këtë akt edhe vulosim rolin e Z. Selman Imerit si rolin më fisnik që e njeh historia e Komunës së Çairit, sepse ai nuk mendoi vetëm për ardhmërinë e 5 fëmijëve të tij por mendoi për zhvillimin e një shoqërie të tërë. Rreth 2 milionë euro kap vlera e investimeve që ai ka bërë në shkollat e në çerdhet tona. Z. Selmani edhe pse ka bërë kaq investime tek ne megjithatë ka ruajtur modestinë për të folur pak fjalë por për të bërë shumë vepra”, tha Ganiu.
Shpallja e Z. Selman Imerit qytetar nderi është miratuar nga ana e Këshillit Komunal dhe me propozim të Visar Ganiut si kryetar i Komunës së Çairit.
Fjalë rasti kishte edhe ish-kryetari i Komunës së Çairit Izet Mexhiti, aktualisht deputet në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, i cili përkujtoi se Z.Selman Imeri edhe në mandatin e tij ka qenë njeriu që ka kontribuar jashtëzakonisht në zhvillimin e Komunës së Çairit në shumë fusha dhe veçanërisht në atë të arsimit.
Në manifestimin e sotëm me rastin e 7 Marsit-Ditës së Mësuesit, Komuna e Çairit dekoroi edhe pensionistët në fushën e arsimit dhe mësuesit më të dalluar të institucioneve komunale edukativo-arsimore.

Merr përditësime në kohë reale në pajisjen tënde, regjistrohuni tani.

Ju gjithashtu mund të shfletoni

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. I pranoj Lexo më shumë