Kryetari Ganiu nënshkruan marrëveshje për bashkëfinancim me ministrin e Vetëqeverisjes lokale, z. Penov

21
Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu me ministrin e Vetëqeverisjes Lokale, Risto Penov sot kanë nënshkruar marrëveshje për bashkëfinancimin e projektit CBCEco Kid, me të cilin vendosen panele fotovoltaike në tri shkolla dhe një çerdhe në Komunën e Çairit.
Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes që u realizua në Komunën e Çairit, Ganiu ka sqaruar se bëhet fjalë për shkollat fillore komunale “Hasan Prishtina”, “Imri Elezi”, “Liria”, kopshtin për fëmijë “Borëbardha” dhe projekti është në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar të Kosovës – Maqedonia e Veriut IPA fondet e Bashkimit Evropian.
Projekti i përgjithshëm kap vlerën prej 423,038 euro dhe Komuna e Çairit është në partneritet me Komunën e Ferizajt, Republika e Kosovës.
“Ministria e Vetëqeverisjes Lokale mori përsipër bashkëfinancimin e komunës dhe do të paguajë për ne. Këto panele fotovoltaike në Komunën e Çairit do të prodhojnë 104,780 kilovat energji elektrike për një vit. Përmes këtij projekti në tri shkolla parashihet edhe zëvendësimi i poçeve të vjetra elektrike me 1465 poçe të reja efiçiente, të cilat së bashku me panelet padyshim që do të ndikojnë në shkurtimin e harxhimeve për energji elektrike dhe kjo është një gjë e mirë, sidomos në një kohë kur kriza energjetike nuk ka ndërmend të zbutet”, ka thënë Ganiu. Ai më tej ka sqaruar se deri tani në Komuna e Çairit janë instaluar panele fotovoltaike edhe në 5 objekte të tjera, shkollat fillore “Kongresi i Manastirit, “Ismail Qemali”, “7 Marsi” dhe Çerdhja “Vesëza” dhe godina e Komunës së Çairit.
“Është për t’u përshëndetur iniciativa e Komunës së Çairit që me këto mjete të realizohet një projekt që do të sjellë kursim të energjisë elektrike në komunë. Me instalimin e fotovoltaikëve në shkollat fillore dhe në një kopsht të fëmijëve, duke përdorur burimet e ripërtëritshme të energjisë, komuna e Çairit do të sigurojë efikasitet maksimal të energjisë me ndotje minimale të mjedisit”, është shprehur nga ana e tij ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Risto Penov.

Merr përditësime në kohë reale në pajisjen tënde, regjistrohuni tani.

Ju gjithashtu mund të shfletoni

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. I pranoj Lexo më shumë