Sot në SHFK “Imri Elezi” kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, bashkë me drejtorët e institucioneve edukativo-arsimore por edhe me përfaqësues të sektorit të arsimit në Komunën e Çairit, sikurse edhe me deputeten Merita Koxhaxhiku, realizuan takim me ministrin e Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri.
“Me ministrin diskutuam rreth zhvillimit të procesit edukativo-arsimor në secilin institucion tonin veç e veç dhe se vazhdimisht po mundohemi të jemi në hap me kohën sa i përket avancimit të arsimimit. Me këtë rast gjithashtu dhashë sqarimin se shkollat tona janë ndër më të suksesshmet jo vetëm në nivel lokal por edhe në mbarë vendin para se gjithash duke patur parasysh arritjet e nxënësve që janë ndër të parët në garat e ndryshme rajonale e shtetërore”, ka thënë kreu Çairit, Visar Ganiu. Ai ka shtuar se vëmendje tejet të rëndësishme Komuna e Çairit i kushton edhe kushteve ku zhvillohet ky arsimim dhe se janë rinovuar thuajse të gjitha shkollat, e në disa proceset e tilla do të vazhdojnë edhe javët në vijim. Edhe drejtorët e shkollave patën mundësinë që të sqarojnë të gjitha arritjet, por edhe sfidat që kanë në zhvillimin e përditshëm të procesit edukativo-arsimor. Ndërkaq ministri Shaqiri nga ana e tij u zotua se gjithmonë do të jetë në krah të zhvillimit të një procesi edukativo-arsimor sa më të suksesshëm dhe sa më progresiv në Komunën e Çairit.