Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, sot zhvilloi inspektimin përfundimtar në objektin e ri të çerdhes “Bambi”, që është pjesë përbërëse e kopshtit të fëmijëve “Fidani” – projekti që përfaqëson çerdhen me kapacitetin më të madh në gjithë Maqedoninë e Veriut.

Objekti tashmë është tërësisht i kompletuar me inventar dhe interier modern, në përputhje me standardet më të larta për institucionet parashkollore. Me një kapacitet prej 350 fëmijësh dhe 22 klasa funksionale, ky investim i rëndësishëm garanton kushte të sigurta, të rehatshme dhe zhvilluese për edukimin dhe përkujdesjen e hershme të fëmijëve.

Në përmbyllje të punimeve ndërtimore dhe pajisjes së brendshme, pritet që në ditët në vijim të organizohet hapja solemne e këtij institucioni, ndërsa paralelisht do të përfundojnë edhe detajet e fundit estetike që do ta pasurojnë pamjen e këtij objekti model. Kryetari Ganiu theksoi se investime të tilla përbëjnë një bazë të qëndrueshme për të ardhmen e gjeneratave të reja dhe mbeten prioritet i pandryshuar në politikat komunale të Çairit.