Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, zhvilloi një takim zyrtar me Elisa Spiropali, Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Shkup.
Takimi u zhvillua në një frymë miqësore dhe konstruktive, gjatë të cilit u diskutuan zhvillimet aktuale rajonale, roli i diplomacisë shqiptare në forcimin e lidhjeve mbarëkombëtare, si dhe rëndësia e thellimit të bashkëpunimit ndërinstitucional në funksion të interesave të përbashkëta të dy shteteve.
Në kuadër të vizitës, ministrja Spiropali dhe kryetari Mexhiti vendosën lule pranë bustit të Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në shenjë nderimi ndaj vizionit të tij historik dhe orientimit evropian të shqiptarëve. Me këtë rast, u ritheksua se e ardhmja e shqiptarëve është në Bashkimin Evropian, si bashkësi e vlerave demokratike dhe integrimit institucional, kulturor e politik.
Vizita e ministres Spiropali në Çair përcolli gjithashtu një mesazh të qartë të afërsisë politike, mbështetjes institucionale dhe vëmendjes së drejtpërdrejtë të shtetit shqiptar ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Takimi konfirmoi vullnetin e ndërsjellë për forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit institucional, me fokus zhvillimin, integrimin dhe ruajtjen e vlerave të përbashkëta.
