Një investim prej rreth 42 milionë euro për ndërtimin e kampusit të ri të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup shënon një nga projektet më të rëndësishme për zhvillimin e arsimit të lartë në vend. Në ceremoninë e vendosjes së gurthemeleve mori pjesë edhe Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Kampusi i ri universitar do të ndërtohet sipas standardeve moderne dhe do të ofrojë kushte bashkëkohore për studim, kërkim shkencor dhe zhvillim akademik, duke forcuar rolin e Shkupit dhe të Çairit si një qendër të rëndësishme universitare për shqiptarët në vend dhe në rajon.
“Investimet në arsim janë investimet më të rëndësishme për të ardhmen e një shoqërie. Ndërtimi i kampusit të Universitetit ‘Nënë Tereza’ është një hap i madh drejt forcimit të arsimit të lartë dhe krijimit të mundësive të reja për të rinjtë,” theksoi Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Ky projekt pritet të përmirësojë ndjeshëm kushtet për studentët dhe të kontribuojë në zhvillimin afatgjatë të arsimit të lartë, duke krijuar mundësi të reja për zhvillim akademik dhe profesional.








