Sot, nën udhëheqjen e Kryetarit të Komunës së Çairit, z. Visar Ganiu, u shënua fillimi zyrtar i punimeve për ndërtimin e fushës ndihmëse në kuadër të stadiumit të FC Shkupit – një projekt i rëndësishëm për sportin në komunë, që financohet tërësisht nga buxheti i Komunës së Çairit.
Në këtë ngjarje morën pjesë Zëvendëskryeministri i Parë, z. Izet Mexhiti, Kryetari i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, z. Masar Omeragić, Zëvendësministrja e Sportit, znj. Safije Shahini Sadiki, Kryetari i Këshillit Komunal të Çairit, z. Jetmir Asani, Deputetja znj. Feride Haxhiu, si dhe trajnerë, sportistë dhe përfaqësues të komunitetit sportiv.
Fusha do të ketë një sipërfaqe prej 4644 m², me përmasa 80 x 50 metra, bar artificial sipas standardeve të FIFA-s, sistem drenazhi dhe ndriçim të plotë, duke mundësuar përdorim gjatë gjithë vitit. Punimet pritet të përfundojnë brenda një afati prej 45 deri në 60 ditësh.
Ky projekt përfaqëson përkushtimin e Komunës së Çairit për të krijuar kushte moderne dhe të qëndrueshme për zhvillimin e sportit dhe mbështetjen e gjeneratës së re sportive.



