Shkolla “Ismail Qemali” në Çair u mbush me gjallëri dhe vargje për të shënuar ditëlindjen e kolosit të letërsisë shqipe, Ismail Kadare. Nxënësit, nën udhëzimin e mësimdhënësve të gjuhës shqipe, interpretuan poezi dhe prezantuan ese, duke shprehur ndjeshmëri dhe admirim për veprën e tij të pasur letrare.

Aktiviteti u pasurua edhe nga nxënësit e klubit të artit, të cilët prezantuan portrete dhe punime të frymëzuara nga trashëgimia kulturore që Kadare ka lënë pas. Këtë veprimtari kulturore e nderuan me praninë e tyre znj. Elda Bakiu nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë dhe znj. Mjellma Gashi nga Komuna e Çairit.

Ishte një ditë ku letërsia bëri bashkë nxënës, mësues dhe mysafirë, duke rikujtuar se dashuria për gjuhën, librin dhe rrënjët tona kulturore mbetet një vlerë që kalon nga brezi në brez.