Kryetari i Komunës së Çairit, z. Visar Ganiu, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Izet Mexhiti, inspektuan nga afër fillimin e një prej projekteve më të mëdha infrastrukturore që po realizohet në territorin e Çairit – rikonstruimin e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit fekal dhe atmosferik në lagjen Dizhon, me një investim prej afër 1.5 milionë euro.

Projekti përfshin ndërhyrje në gjithsej 16 rrugë dhe rrugica brenda lagjes, dhe pritet të përmirësojë drejtpërdrejt cilësinë e jetës për mbi 1.000 familje. Përmes këtij investimi do të sigurohet furnizim i qëndrueshëm me ujë të pijshëm dhe ndërtim i një sistemi efikas për menaxhimin e ujërave të ndotura dhe atmosferike.

Ky projekt përfaqëson një shembull të qartë të bashkëpunimit të suksesshëm mes pushtetit lokal dhe atij qendror dhe është dëshmi e qasjes së re zhvillimore që po zbatohet në Komunën e Çairit – me vizion të qartë, punë konkrete dhe përkushtim të vazhdueshëm ndaj nevojave të qytetarëve.