Gjimnazistët nga Çairi të cilët dje u shpallën kampionë të garës me renome botëror NASA Space Apps Challenge duke krijuar aplikacionin më të mirë nacional, u pritën sot nga kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu dhe nënkryetarja Sermine Purrini.
Nxënësit të shoqëruar nga drejtori i Shkollës së Mesme “Zef Lush Marku”, Faruk Zeqiri ku edhe mësojnë këta kampiona dhe mentori Nderim Nagavci, koordinator i Qendrës rinore në Çair – YCCC dhanë shpjegimin se si kanë arritur ta krijojnë aplikacionin nacional që edhe u shpall më i miri në mesin e një numri të madh të ekipeve që garonin.
Nxënësit Jasir Idrizi, Krenar Ahmeti, Dijar Selami, Endrit Shaqiri dhe Andi Ganiu me faktin që morën vendin e parë në garën NASA Space Apps Challenge, fituan edhe të drejtën për të vizituar NASA’s Kennedy Space Center në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Gjatë takimit të sotëm të rinjtë i inkurajova të vazhdojnë në këtë rrugë dhe i binda se me vet faktin që ata krijuan një aplikacion kaq të rëndësishëm të njohur nga vet NASA, do të jenë faktor i padiskutueshëm edhe në krijimin e një ardhmërie sa më të ndritshme për të gjithë shoqërinë”, ka deklaruar kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu.