Në sallën e komunës së Çairit u mbajt një panel diskutimi me temë “Fuqizimi i Grave: Ndërgjegjësimi dhe Lufta Kundër Dhunës”, ku u theksua rëndësia e familjes si pika kyçe për parandalimin e dhunës ndaj vajzave.

Një nga mesazhet kryesore të panelit ishte se dhuna shpesh fillon aty ku nuk duhet të ekzistojë – brenda familjes. Babai, si figura e parë mashkullore në jetën e një vajze, duhet të jetë model i dashurisë dhe respektit.

Në panel morën pjesë Zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli, deputetet Merita Koxhaxhiku, Saranda Imeri dhe Feride Haxhiu, drejtoresha e shkollës Teuta Idrizi dhe psikologia Hatixhe Sefa nga qendra “Savant”. Ata ndanë mendimet dhe përvojat e tyre mbi rëndësinë e edukimit dhe ndërgjegjësimit për luftën kundër dhunës.

Panelistët theksuan se parandalimi i dhunës fillon në familje, duke promovuar vlera barazie, respekti dhe dashurie. Gjithashtu, u theksua roli i institucioneve arsimore në edukimin për barazinë gjinore dhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit mes institucioneve dhe komunitetit për ndërtimin e një shoqërie pa dhunë.

Kjo diskutim shërbeu si një platformë për të nxitur dialogun dhe veprimin konkret për fuqizimin e grave dhe mbrojtjen e tyre nga dhuna.