Komuna e Çairit ka përfunduar rikonstruktimin e rrugës nr. 9 të Bulevardit “Mid’hat Frashëri”, ku është vendosur edhe shtresa përfundimtare e asfaltit. Ky investim është pjesë e gjashtë projekteve infrastrukturore që po realizohen njëkohësisht në këtë zonë, me synim përmirësimin e qarkullimit dhe rritjen e cilësisë së jetesës për banorët.

Punimet në terren vazhdojnë paralelisht edhe në rrugën nr. 3, duke mbajtur ritmin e transformimit urban dhe duke krijuar kushte më të mira për lëvizjen e qytetarëve.

Me rrugë të reja, infrastrukturë më të rregullt dhe lagje më funksionale, Komuna e Çairit po dëshmon çdo ditë standardin e ri të punës që ka vendosur: investime të qëndrueshme dhe rezultate konkrete për komunitetin.