Bashkëpunimi me sektorin joqeveritar është ndër mekanizmat më efikas për të qenë më afër qytetarëve, për të identifikuar problemet e tyre dhe për të gjetur zgjidhje të përshtatshme. Ndihma që ata ofrojnë në këtë proces është padyshim përforcim i kapaciteteve funksionale dhe garancë për respektimin e vlerave demokratike.

Sot, kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu, dhe drejtori ekzekutiv i Institutit ZIP – z. Agim Selami, nënshkruajti memorandum bashkëpunimi për aktivitete të përbashkëta në disa sfera, si:

1. Lufta kundër korrupsionit në nivel lokal;
2. Buxhetimi participativ;
3. Arsimimi i integruar dhe sfera të tjera për të cilat do të konstatojmë se duhet angazhim i përbashkët.

Gjatë këtij takimi, kreu i Çairit shprehu mbështetjen e parezervë të aktiviteteve të Institutit ZIP dhe të çdo organizate tjetër joqeveritare lidhur me çështjet e vetëqeverisjes lokale, duke inkurajuar aktivitete të përforcuara në drejtim të zhvillimit edhe më të hovshëm të sektorit joqeveritar në Çair.