Ka nisur rikonstruksioni i plotë i rrugës “Ferid Murati”, një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në Çair. Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, së bashku me Kryetarin e Qytetit të Shkupit, Orce Gjeorgjevski, njoftuan fillimin e punimeve në terren.

Projekti përfshin asfaltim të ri, dy korsi të rregulluara në të dy drejtimet, trotuare të standardizuara, korsi biçikletash në të dy anët, parkim të organizuar për rreth 200 automjete dhe sistem të ri të ndriçimit publik. Investimi realizohet në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Ministrinë e Transportit.

Rruga “Ferid Murati” ka rëndësi të veçantë për zonën, pasi lidh lagje të rëndësishme dhe përmirëson ndjeshëm qarkullimin dhe sigurinë. Modernizimi i infrastrukturës mbetet prioritet për rritjen e cilësisë së jetesës së qytetarëve.