Kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu, sot ka realizuar takim pune me zëvendësministrin e Transportit dhe Lidhjeve, z. Bekim Rexhepi i cili edhe i ka kumtuar se Komuna e Çairit në bazë të aplikimit në Ministrinë e Transportit për mjete të dedikuara nga Banka Botërore, ka fituar projektin për rikonstruimin e plotë të rrugës “Parashqevi Qeriazi”(Ish-Arhiepiskop Dositej) me degëzimet e saj. Siç sqaroi zëvendësministri Rexhepi, fillimi i projektit në këtë pjesë të Çairit të Vjetër do të nis pas përfundimit të prokurorimit.
Ganiu ka informuar se ndihma nga Ministria e Transportit dhe lidhjeve nuk do të ndalojë këtu sepse siç ka paralajmëruar z. Rexhepi faza e ardhshme e projektit parashikon rikonstruimin e tërësishëm të rrugës “Seravë”.
“Nikoqirin e përkujtova se investimet e këtilla në Komunën tonë janë tejet të rëndësishme sepse drejtpërdrejt ndikojnë në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve që është me aq peshë për ne. Njëkohësisht zëvendësministrin e Transportit dhe Lidhjeve, z. Bekim Rexhepi e falënderova pa masë për kontributin e tij që po jep për të përmirësuar jetesën e Çairasve përmes projekteve të ndryshme infrastrukturore”, ka thënë kryetari i Komunës së Çairit.