Kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu dhe Sekretari Gjeneral i Komunës Nedim Rama vizituan sot Ministrinë e Kulturës për të realizuar një takim pune me njeriun e parë të këtij dikasteri z. Asaf Ademi, të cilin e përgëzuan për emërimin në detyrën e re duke i dëshiruar sukses dhe përkrahje në realizimin e sfidave të shumta në rrugën për të ruajtur dinjitetin kulturor të vendit.
Gjatë këtij takimi kreu i Çairit Ganiu dhe ministri Ademi shprehën gatishmërinë e plotë për bashkëpunim në realizim e shumë projekteve nga sfera e kulturës. Çairi si komunë që posedon shumë monumente kulturore meriton angazhim të përbashkët për ruajtjen e autenticitetit kulturor, por edhe promovimin e vlerave kulturore.
Njëherit, kreu i Çairit Ganiu shprehu faleminderimin e tij personal ndaj ministrit Ademi për mikëpritjen dhe për angazhimin e tij personal për ti ndihmuar Çairit në realizimin e projekteve që kanë të bëjnë me Çarshinë e Vjetër e cila si trashëgimi kulturore është edhe nën kompetenca të Ministrisë së Kulturës.