Përmes një mbledhjeje Komemorative që u mbajt sot në Komunën e Çairit nderuam veprën dhe jetën e pishtarit të arsimit shqip, Profesorit Adnan Agai. “Bashkë me familjen Agai, midis të cilëve edhe të birin e profesorit të ndjerë Lulzim Again e bijën Teuta Agajin i dhamë lamtumirën atij fizikisht, por në mendjen dhe shpirtin tonë ky njeri që bëri aq shumë për të zhvilluar e nxjerrë në dritën e vërtetë arsimin, do të jetojë përherë.
Sot, për profesorin Adnan në pikëllim dhe dhimbje nuk janë vetëm familja e tij, jemi të gjithë si një shoqëri dhe ngado ku flitet shqip, në dhimbje është edhe Çairi ynë sepse pikërisht shumë e shumë të rinj që dikur mësonin në gjimnazin “Zef Lush Marku” ku ai ishte mësimdhënës, e fituan dritën e vërtetë të dijes nga profesori ynë, e këtë dritë e përcollën gjeneratë pas gjenerate dhe tani ajo shndërrit edhe më fuqishëm. Profesor, prehu në paqe sepse veprat e tua do të jenë gjithmonë me ne”, ka deklaruar kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu