Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu sot në Ferizaj bashkë me kryetarin e Komunës, Agim Aliu, ministrin e Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian, shënuan frytet e para të bashkëpunimit disamujor të ekipeve komunale dhe gjithsesi me ndihmën e vazhdueshme evropiane, për vendosjen e paneleve solare në 8 objekte edukativo-arsimore në të dyja anët e kufirit.
”Derisa në Komunën e Ferzaijit u promovua përfundimi i vendosjes së paneleve fotovoltaike, punimet po vazhdojnë edhe në institucionet tona “Hasan Prishtina”, “Imri Elezi”, “Liria”, kopshti “Borëbardha” në kuadër të Programit për bashkëpunim ndërkufitar Kosovë Maqedonia e Veriut – IPA fondet e bashkimit Evropian –CBC EkoKid”, ka deklaruar Ganiu.
Panelet fotovoltaike në Komunën e Çairit do të prodhojnë 104.780 kilovat energji elektrike për një vit.
“Këtë bashkëpunim ndërkufitar që e demonstruam sot në vepër mes Komunës së Çairit dhe Komunës së Ferizajit, mes ekipeve tona, mes bashkëqytetarëve tanë dhe gjithnjë me ndihmën e fuqishme të Bashkimit Evropian, do të mundohemi ta ruajmë dhe ta kultivojmë sa më shumë”, është shprehur Ganiu.