Në ambientet e Shkollës Fillore “Ismail Qemali” u organizua sot eko manifestimi për rëndësinë e aksionit ekologjik të seleksionimit dhe reciklimit të mbeturinave.

Përfaqësuesi i Komunës së Çairit, zëdhënësi Kushtrim Alla në fjalimin e tij deklaroi: “Në kohën kur po përballemi me sfidën serioze për ruajtjen e pastërtisë së ambientit jetësor dhe cilësisë së ajrit, organizimi i këtij manifestimi është i një rëndësie tepër të madhe. Në mendjen e fëmijëve duhet të mbjellim dashurinë për ambientin. Fokusi ynë primar si në aspektin institucional dhe mbi të gjitha njerëzor duhet të jetë trajtimi i këtyre eko problematikave dhe angazhimi i përbashkët për zgjidhjen e tyre e jo vetëm ndodhitë e politikës ditore.

Zëdhënësi i Komunës poashtu faleminderoi nxënësit dhe mësimdhënësit për manifestimin e shkëlqyer që kishin organizuar, si dhe shprehu mirënjohjen e tij ndaj shërbimeve të Higjienës Komunale me të cilët kanë organizuar aksione masive të pastrimit të territorit të Komunës së Çairit.