Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu bashkë me Ambasadoren e Shtetit të Zvicrës znj. Sibil Suter Tejada, Ministren e Punëve dhe Politikës Sociale znj. Mila Carovska dhe drejtoreshën e kopshtit për fëmijë “Fidani” znj. Gëzime Bakiu shënuan fillimin e implementimit të projektit edukativ me moton “Të pastër dhe të shëndetshëm” nën përkujdesin e Shoqatës për Zhvillim Rajonal “Balkan Ekonomik Forum”, “Civica Mobilitas” dhe “Pakomak”.
Shprehitë e përkujdesit për pastërtinë e natyrës më së shumti përvetësohen në moshë të re, prandaj zbatimi i projekteve si ky është thesar i domosdoshëm për ardhmërinë e shëndoshë të këtyre vogëlushëve që kemi para vetes dhe për ngritjen e vetëdijes sonë shoqërore.
“Mënyra kreative e transmetimit të njohurive mbi pastërtinë e ambientit jetësor përmes librave të ilustruara, video materialeve edukative dhe aplikacioneve argëtuese padyshim se i kanë munguar metodologjisë edukative që aplikohet në kopshtet për fëmijë. Tani më lehtë dhe me efikasitet më të madh, edukatoret dhe në veçanti prindërit do të mund të mbjellin dashurinë për ambientin jetësor në zemrën e fëmijëve dhe do të stimulojnë sjelljen e duhur shembullore tek ta.” – u shpreh kryetari Ganiu në fjalimin e tij.