Forcimi i marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë dhe mbështetja e kauzave që promovojnë paqen dhe solidaritetin janë ndër përparësitë kryesore të Komunës së Çairit. Në këtë frymë, kryetari i Komunës së Çairit mirëpriti sot në një takim zyrtar ambasadoren e Ukrainës, znj. Larisa Dir, me të cilën diskutoi mbi bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe mbështetjen e pakushtëzuar ndaj Ukrainës dhe popullit të saj.

Gjatë takimit, u theksua rëndësia e solidaritetit dhe ndihmës reciproke, veçanërisht në këto kohë sfiduese për Ukrainën. Kryetari i Komunës rikonfirmoi qëndrimin e palëkundur të Çairit në mbështetje të Ukrainës dhe kundër çdo forme agresioni, si dhe përkushtimin për të kontribuar aktivisht në këtë drejtim.

Në këtë kontekst, u rikujtua edhe inaugurimi i Parkut “Ukraina” në Çair, një simbol i qartë i miqësisë dhe solidaritetit që qytetarët tanë ndajnë me popullin ukrainas.

Komuna e Çairit mbetet e angazhuar në zhvillimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe mbështetjen e kauzave që promovojnë paqen, lirinë dhe solidaritetin mes popujve.