Në një nga lagjet më të vjetra të Komunës së Çairit dhe shumë pranë Kalasë së Shkupit, sot së bashku me presidenten e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani Sadriu e personifikuam presidentin historik Doktor Ibrahim Rugovën duke ia vendosur emrin e tij njërës nga rrugët e kryeqendrës së vendit tonë. E me ne sot ishte edhe Teuta Rugova, e bija e presidentit Ibrahim Rugova.
Kjo është gjëja më e vogël që ne mund të bëjmë për një lider kaq të shquar të kombit tonë, një njeri që deri në çastin e fundit të jetës së tij frymoi për Kosovën në veçanti dhe për shqiptarët në përgjithësi.
Doktor Ibrahim Rugova vërtetë nuk e pa Kosovën e pavarur me sytë e vet, megjithate ne sot jo vetëm që e shohim Kosovën e pavarur por edhe emrin e tij po e përjetësojmë jashtë kufijve gjithandej që kurrë mos ta kap asnjë grimcë e harresës.
Jeta, shpirti, vepra e Ibrahim Rugovës që moti janë shndërruar në dritë e në frymëzim për të gjithë shqiptarët nga do që jetojnë.
E bashkë me presidenten vizituam edhe Çarshijën tonë të Vjetër, e vendosëm lule tek shtatorja e Skëndërbeut dhe busti i Hasan Prishtinës.
Presidente Vjosa Osmani faleminderit për nderin që i bëtë sot Shkupit!